Flokët deri te këmbët i kushtuan dy kartonë të kuq kundërshtarëve – historia e pazakontë e Scipios

Sport

Futbollisti i Anguilës, Aedan Scipio, është bërë protagonist i një prej episodeve më të pazakonta të ditëve të fundit në futboll. 36-vjeçari, i cili dallohet menjëherë në fushë për flokët e tij jashtëzakonisht të gjatë, arriti që brenda pak minutash të bëhej arsyeja e përjashtimit të dy futbollistëve kundërshtarë. Anguila po humbiste 5-0 ndaj Antigua […]

Madhësia e shkronjave

Futbollisti i Anguilës, Aedan Scipio, është bërë protagonist i një prej episodeve më të pazakonta të ditëve të fundit në futboll. 36-vjeçari, i cili dallohet menjëherë në fushë për flokët e tij jashtëzakonisht të gjatë, arriti që brenda pak minutash të bëhej arsyeja e përjashtimit të dy futbollistëve kundërshtarë.

Anguila po humbiste 5-0 ndaj Antigua dhe Barbudës në kuadër të Ligës së Kombeve të CONCACAF-it, kur Scipio u aktivizua në minutën e 69-të. Të pesë golat ishin shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa diferenca mes dy skuadrave ishte e dukshme edhe para hyrjes së tij në fushë.

Scipio, 36-vjeçari i përfaqësueses së Anguilës, është një futbollist që vështirë se mund të mos vihet re. Arsyeja janë gërsheta e gjata të tij, të cilët i arrijnë pothuajse deri te kyçet e këmbëve dhe janë bërë pjesë e identitetit të tij në fushën e futbollit.

Vetëm pak minuta pas hyrjes së tij, Scipio fitoi topin nga Keon Greene brenda zonës së Anguilës dhe tentoi të nisej në kundërsulm. Greene, i cili kishte hyrë gjithashtu pak më herët në lojë, e ndaloi duke i kapur flokët e gjatë teksa futbollisti po largohej me topin.

Gjyqtari nuk pati dilema dhe e ndëshkoi Greene me karton të kuq. Por duket se ky episod nuk ishte një paralajmërim i mjaftueshëm për pjesën tjetër të ekipit të Antigua dhe Barbudës.

Në minutat shtesë të takimit, Shalon Knight përsëriti të njëjtin veprim. Edhe ai e kapi Scipion për flokësh, duke tentuar ta ndalonte. Edhe këtë herë vendimi i gjyqtarit ishte i njëjtë, karton i kuq.

Kështu, Antigua dhe Barbuda, pavarësisht se po fitonte 5-0, e mbylli ndeshjen me vetëm nëntë lojtarë në fushë. Të dy përjashtimet erdhën për të njëjtën arsye – tërheqjen e flokëve të të njëjtit kundërshtar.

Dy kartonët e kuq nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar, por bënë që pesë golat e Antigua dhe Barbudës të kalonin në plan të dytë. Në fund, vëmendjen e mori Scipio dhe flokët e tij të pazakontë, të cilët në këtë ndeshje u shndërruan në protagonistët e një prej episodeve më të veçanta të futbollit. /Telegrafi/