Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet ruse me dronë ndaj Kievit kanë dëmtuar edhe një ndërtesë që përdoret si rezidencë e ambasadorit të Arabisë Saudite, ndërsa objektivat e goditura përfshijnë gjithashtu kopshte, shkolla, banesa, magazina dhe infrastrukturë komunikimi.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Zelensky tha se vetëm gjatë ditës së fundit, në Kiev janë dëmtuar dy kopshte dhe dy shkolla, një ndërtesë banimi, një servis automjetesh, disa magazina dhe objekte të komunikimit.
Sipas presidentit ukrainas, në mesin e ndërtesave të dëmtuara ndodhet edhe ajo që shërben si rezidencë e ambasadorit saudit në kryeqytetin ukrainas.
Zelensky e cilësoi sulmin si një goditje ndaj popullsisë civile dhe tha se Rusia nuk ka, sipas tij, objektiva ushtarake në këto goditje, transmeton Telegrafi.
“Ky është një përpjekje për të thyer njerëzit dhe për t’i shkaktuar sa më shumë dëm shoqërisë sonë”, tha ai, duke shtuar se sulmet kanë shkaktuar viktima dhe dhjetëra persona janë plagosur.
Sipas shifrave të publikuara nga Zelensky, Rusia ka përdorur gjithsej 277 dronë sulmues që nga dita e kaluar, prej të cilëve 155 ishin dronë me motor reaktiv.
Përdorimi në rritje i dronëve me motor reaktiv është bërë një sfidë e veçantë për mbrojtjen ajrore ukrainase. Reuters ka raportuar se këta dronë janë më të shpejtë se variantet me helikë dhe po e vështirësojnë ndjeshëm punën e mbrojtjes ajrore, veçanërisht rreth Kievit.
Ukraina po përpiqet ndërkohë të rrisë prodhimin e dronëve përgjues për t’u përballur me këtë kërcënim. Zelenskyy ka thënë se vendi ka testuar sisteme të reja për kapjen e dronëve reaktivë dhe po përshpejton prodhimin e tyre.
Sulmi i fundit vjen në një periudhë kur Kievi po përballet me valë të përsëritura sulmesh ajrore ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës civile.
Zelensky ka kërkuar vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtarë forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, përfshirë sigurimin e raketave interceptuese Patriot. /Telegrafi/






