Vendim i papritur i portierit irlandez, bojkoton ndeshjet ndaj Izraelit

Sport

Portieri i Republikës së Irlandës, Gavin Bazunu, ka konfirmuar se nuk do të luajë në ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve kundër Izraelit, për shkak të bindjeve të tij personale. Në një deklaratë të publikuar në Instagram, 24-vjeçari ka shpjeguar arsyet e vendimit të tij, duke theksuar se bëhet fjalë për një […]

Madhësia e shkronjave

Portieri i Republikës së Irlandës, Gavin Bazunu, ka konfirmuar se nuk do të luajë në ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve kundër Izraelit, për shkak të bindjeve të tij personale.

Në një deklaratë të publikuar në Instagram, 24-vjeçari ka shpjeguar arsyet e vendimit të tij, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje parimore dhe jo për qëndrim kundër popullit izraelit apo komunitetit hebre.

“Përfaqësimi i vendit tim do të thotë gjithçka për mua. Kam respekt të jashtëzakonshëm për secilin prej bashkëlojtarëve të mi, trajnerin, stafin e tij dhe popullin irlandez“.

“Megjithatë, kam marrë një vendim që nuk ka qenë aspak i lehtë për mua. Jam një person thellësisht fetar dhe përpiqem të jem njeri me karakter dhe parime. Për këtë arsye, besoj se do të ishte e gabuar për mua të marr pjesë në ndeshjet e ardhshme kundër Izraelit“.

“Vendimi im bazohet vetëm në bindjen time personale se vrasja e njerëzve të pafajshëm është e gabuar. Është e rëndësishme të theksoj se qëndrimi im nuk është kundër popullit të Izraelit apo komunitetit hebre, por kundër mizorive që po ndodhin në atë rajon“.

“Nuk janë të shumta momentet në jetë kur ke mundësinë të qëndrosh për diçka më të madhe se vetja, dhe unë besoj fuqimisht se ky është një prej atyre momenteve”, ka shkruar Bazunu.

Ndeshja e parë mes Izraelit dhe Republikës së Irlandës është planifikuar të zhvillohet të dielën, më 27 shtator, në Debrecen të Hungarisë.

Sfida e kthimit do të luhet më 4 tetor në Baçka Topola të Serbisë. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në terrene neutrale.

Më herët, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, kishte deklaruar se brenda ekipit ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me këto ndeshje dhe se disa futbollistë ndihen të parehatshëm për shkak të situatës që i rrethon ato.

Bazunu, 24 vjeç, ka regjistruar 22 paraqitje me fanellën e Republikës së Irlandës në të gjitha garat që nga debutimi i tij në vitin 2021. /Telegrafi/