Filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës dhe skenar të bashkëshkruar nga Doruntina Basha, është prezantuar premierë në Cineplexx në Prishtinë, duke mbledhur në një mbrëmje të veçantë aktorët dhe protagonistët e këtij produksioni ndërkombëtar.
Drama trajton një histori të lidhur ngushtë me dinjitetin, presionin financiar dhe vështirësinë për të pranuar ndihmën nga të tjerët. Në qendër është Shabani, një familjar krenar që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe përpiqet të mbajë familjen e tij, ndërsa situata financiare bëhet gjithnjë e më e rënduar.

Edhe pse nëna dhe kunati i tij përpiqen ta ndihmojnë, pranimi i mbështetjes prek krenarinë dhe ndjenjën e dinjitetit të Shabanit. Teksa siguria e tij ekonomike lëkundet, ai përballet me zgjedhje të vështira mes krenarisë dhe nevojës për të mbijetuar.
Në rolet kryesore të filmit janë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj, ndërsa në kast janë edhe Tristan Halilaj dhe Abdinaser Beka.
Në premierën e mbajtur në Cineplexx në Prishtinë, të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të kastit dhe ekipit të filmit, të cilët folën për realizimin e këtij projekti dhe përvojën e tyre gjatë punës në të.
Visar Morina: Mendoj që është një histori që e përfshin ose me të cilën mund të lidhen shumë njerëz nga Kosova. Kemi punuar shumë. Kemi përsëritur shumë. Edhe kemi mbajtur prova goxha shumë. Edhe besoj se sendi më i bukur në këtë film është performanca e tyre. Besoj që aktorët kanë dalë shumë mirë, jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i lumtur që kam pasur fatin të punoj me ta. Astrit Kabashi: Historia e Shabanit brenda skenarit, edhe pse unë me Visarin kemi biseduar një kohë të gjatë edhe kur ka qenë ky duke e shkruar skenarin. Po është një personazh, një njeri shumë i mirë, një njeri plot dinjitet edhe që lufton për familjen e tij. Kjo më ka tërhequr më së shumti. Unë mendoj që për gjitha rolet, për të gjitha rolet është pak vështirë se duhet pak punë, për të dalë mirë duhet të përgatitesh goxha shumë. E sidomos te Shabani, i cili ka qenë një punëtor goxha fizik, me punë fizike që e kanë përcjellë gjatë gjithë jetës.
Kumrije Hoxha: Rrallë ka role të tilla të femrave, e sidomos grave në moshë, këtë moshë që jam unë, do të thotë ishte një kënaqësi e madhe u bë, domethënë, e fitove rolin. Isha shumë shumë e lumtur. Se është një rol i një nane që është jo dominante, po e respektueshme shumë në shtëpi, një nënë e fortë, e cila e mban familjen afër, i mban djemtë afër vetes, do të thotë djemtë për çdo gjë konsultohen me nënën.
Fiona Gllavica: Fillimisht kur e kam lexuar skenarin, ma ka lënë një ndjenjë shumë të dhimbshme brenda. Adelina si personazh ka qenë një personazh shumë i veçantë për mua. Mirëpo shumë nga ndjenjat e Adelinës nuk janë thënë me fjalë, ndoshta do t’i shihni thjesht në sytë e Adelinës. Po edhe gjatë xhirimit ka qenë një proces shumë i gjatë, kështu që besoj që ajo na ka ndihmuar të lidhemi me njëri-tjetrin dhe të ofrojmë atë ndjenjën e familjes. /Telegrafi/





