Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot organizon protestë në komunat e Kosovës, ku ka degë dhe struktura të saj, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat do të mbahen në ora 17:00, në të gjitha qytetet, përveç degës së Prishtinës, e cila do t’i bashkëngjitet orarit të organizimit të protestës, në ora 21:00.

“Ftojmë institucionet komunale dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen këtyre protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës sonë çlirimtare.
OVL UÇK mbështet dhe do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare, përderisa ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues”, thuhet në njoftim.
OVL UÇK u bën thirrje të gjithë spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të jenë unikë dhe sa më parë të fillojnë hartimin e një strategjie kombëtare, e cila do të garantonte mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së deri në vendimin e Apelit. /Telegrafi/





