Sydney Sweeney pritet të luajë përkrah aktorit të “Off Campus”, Belmont Cameli, në përshtatjen e ardhshme të “Sleepy Hollow”, që po zhvillohet nga Sony.
Filmi pritet të jetë një mister mbinatyror dhe sensual, i përqendruar te një trekëndësh dashurie mes aktores 29-vjeçare, Cameli-t dhe një aktori tjetër, i cili ende nuk është përzgjedhur, raportoi të enjten “Deadline”.
Projekti do të bazohet në romanin e ardhshëm debutues të regjisores dhe skenaristes Lindsey Anderson Beer. Beer do të marrë përsipër edhe regjinë e filmit, përveç përshtatjes së romanit të saj, i cili pritet të publikohet në vjeshtën e vitit 2027.
Lajmi vjen në një periudhë kur ylli i “Euphoria” është përfshirë në një sërë polemikash gjatë vitit të fundit. Më e fundit lidhet me një reklamë për baste sportive, në të cilën ajo u shfaq e zhveshur dhe që shkaktoi reagime nga disa figura të njohura.
Filmi do të prodhohet nga kompania e Margot Robbie, LuckyChap, kompania e re e Sweeney-t, Honey Trap, si dhe nga Beer përmes kompanisë së saj Lab Brew.
Sipas “Deadline”, romani i ardhshëm i Beer do të jetë një riimagjinim i veprës klasike “The Legend of Sleepy Hollow” dhe do të rrëfehet nga këndvështrimi i Katrina Van Tassel, rol që do ta interpretojë Sweeney.
Belmont Cameli do të luajë rolin e Brom Bones.
Beer synon ta vendosë heroinën ikonike në qendër të historisë, duke e bërë figurën kryesore të misterit, por edhe të trekëndëshit të dashurisë me elemente mbinatyrorë.
Ndërkohë, producentët raportohet se janë ende në kërkim të aktorit që do të interpretojë Ichabod Crane, personazhi që do të jetë pjesë e trekëndëshit të dashurisë së bashku me Sweeney-n.






