Kosova e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij në triumfin 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Goli i Vedat Muriqit në pjesën e dytë i siguroi “Dardanëve” tri pikët, ndërsa Foda pas ndeshjes u ndal te organizimi i skuadrës, veçanërisht në fazën defensive. Përzgjedhësi gjerman vlerësoi edhe punën e bërë në mesfushë dhe paraqitjet e Edon Zhegrovës e Baton Zabërgjës.
“Sot më pëlqeu reparti defensiv. Nuk krijuan asnjë mundësi irlandezët. Më pëlqeu qetësia sidomos pas pjesës së parë u thash të qëndrojnë të qetë dhe goli do të vij. Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me krahët. Edhe me Zhegrovën që luajti 70 minuta, pasi kishte kohë pa luajtur. Edhe me Batonin po ashtu jam i kënaqur. Leoni dhe Veldini bënë punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndamë. Leoni kishte rol defensiv, kurse Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani jonë”, ka thënë Foda.
Pas fitores ndaj Irlandës, Kosova tashmë e ka fokusin te ndeshja e radhës, ku të dielën do të përballet me Austrinë në Vjenë. Përzgjedhësi gjerman pret një tjetër sfidë, me karakteristika të ndryshme nga ajo ndaj irlandezëve.
“Kundër Austrisë do të jetë ndeshje tjetër, sot kishim unë më të lehtë, kurse Austria lojë më të shpejtë, kurse këtu kishim detyrë për të ndalur topat e gjatë”, është shprehur Foda.
Foda e njeh mirë futbollin austriak, pasi në të kaluarën ka qenë përzgjedhës i Austrisë dhe e kishte drejtuar atë edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2020. Tash, megjithatë, ai do të përballet me një skuadër që sipas tij ka ndryshuar dhe kërkon përgatitje të veçantë.
“Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim, do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë. Besoj se do ta kemi edhe në Vjenë mbështetjen e shqiptarëve që janë në numër të madh”, ka thënë Foda.
Kosova synon kështu ta vazhdojë me rezultat pozitiv këtë seri ndeshjesh, pas startit të suksesshëm ndaj Irlandës në Prishtinë. /Telegrafi/






