Christian Eriksen ka ndërprerë kontratën me Wolfsburgun dhe është kthyer në Danimarkë, ku do të vazhdojë rehabilitimin dhe do të qëndrojë pranë familjes së tij.
Klubi gjerman dhe mesfushori danez kanë arritur marrëveshje për ndërprerjen e parakohshme të kontratës, e cila fillimisht ishte e vlefshme deri më 30 qershor 2027. Vendimi erdhi pas episodit të dytë të kolapsit të Eriksenit në fushë gjatë karrierës së tij.
34-vjeçari ishte rrëzuar në qershor gjatë ndeshjes miqësore të Danimarkës ndaj Ukrainës. Ky ishte episodi i dytë serioz për të, pasi në vitin 2021 kishte pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian ndaj Finlandës. Që nga episodi i fundit, Eriksen nuk kishte luajtur më për Wolfsburgun.

Vendimi për largimin nga klubi u mor me kërkesë të vetë Eriksenit. Wolfsburgu bëri të ditur se ia la në dorë lojtarit vendimin për të ardhmen dhe pranoi kërkesën e tij për ndërprerjen e kontratës.
“Për momentin është e rëndësishme për mua të jem pranë familjes sime në Danimarkë. Jam i lumtur që arritëm të gjenim një zgjidhje së bashku. Koha ime në Wolfsburg u shënua nga shumë ulje-ngritje. E di që klubi tani është në duar të mira për një rikthim në Bundesliga dhe jam i bindur se Wolfsburgu ka një të ardhme të suksesshme përpara”, tha Eriksen.
“Dua t’i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më mbështetën në VfL dhe Wolfsburg. Ishte një kënaqësi e madhe të luaja për ju dhe do ta kujtoj këtë kohë me dashuri”, shtoi mesfushori danez.
Eriksen kishte kaluar vetëm një sezon te Wolfsburgu, pasi iu bashkua klubit si lojtar i lirë. Gjatë kësaj periudhe ai bëri 34 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë dhjetë asistime.
Tani, Eriksen do të fokusohet në programin e tij individual të rehabilitimit në Danimarkë. Wolfsburgu kishte bërë të ditur më herët se ai do ta zhvillonte këtë program në vendlindje, në koordinim me klubin dhe mjekët që po e trajtojnë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse Eriksen do ta vazhdojë karrierën si futbollist profesionist. /Telegrafi/





