E priti telefonatën që nuk po vinte, por kurrë nuk pushoi së besuari – Milot Avdyli më në fund e realizoi ëndrrën me Kosovën

Sport

Ka pritur gjatë për këtë moment, por tani ka ardhur dita që Milot Avdyli e kishte ëndërruar. Pas një rrugëtimi të nisur që nga grupmoshat e reja të Kosovës dhe viteve të kaluara me shpresën se një ditë do të vijë ftesa nga Kombëtarja A, 24-vjeçari më në fund mori telefonatën që çdo futbollist e […]

Madhësia e shkronjave

Ka pritur gjatë për këtë moment, por tani ka ardhur dita që Milot Avdyli e kishte ëndërruar. Pas një rrugëtimi të nisur që nga grupmoshat e reja të Kosovës dhe viteve të kaluara me shpresën se një ditë do të vijë ftesa nga Kombëtarja A, 24-vjeçari më në fund mori telefonatën që çdo futbollist e pret gjatë karrierës.

Rrugëtimi i Avdylit me Kosovën kishte nisur që në grupmoshat e reja, pasi ai kishte kaluar nëpër të gjitha kategoritë nga U16 deri te U21. Te kjo e fundit, ai kishte bartur edhe shiritin e kapitenit dhe kishte zhvilluar të gjitha ndeshjet, duke pritur që një ditë të vinte edhe momenti për të bërë hapin drejt Kombëtares A.

Megjithatë, pasi e përfundoi periudhën me U21, Avdyli nuk kishte marrë kontakte nga Kombëtarja A dhe, siç kishte treguar vetë, nuk i kishte ardhur asnjë mesazh. Në janar të këtij viti, në podcastin “Arena e Yjeve” të Telegrafit, ai kishte folur pikërisht për pritjen e një ftese nga Kosova.

“Ftesën normal që çdo lojtar e pret. Çdo lojtar e pret ftesën dhe është ëndrra më e madhe e karrierës që me lujtë me kombëtaren e Kosovës”.

“Por, pasi e kam kaluar gjeneratën U21, kam qenë kapiten, i kam zhvilluar të gjitha ndeshjet, por nuk kam pasur kontakte prej Kombëtares sonë, nuk më ka ardhur asnjë mesazh”.

“Por detyra ime është vetën të punojë dhe të bëj sa më shumë gola e asistime. E di që do të vijë koha ta përfaqësojë Kosovën, jam shumë optimist”, kishte rrëfyer Avdyli.

Vetëm tetë muaj më vonë, pritja e gjatë mori një përgjigje konkrete. Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e përfshiu Avdylin në listën e Kombëtares për katër ndeshjet e “Dardanëve” në Ligën e Kombeve, ndaj Irlandës, Austrisë në dy përballje dhe Izraelit.

Foda e kishte vlerësuar sezonin e zhvilluar nga Avdyli dhe faktin se 24-vjeçari mund të luajë në më shumë se një pozitë.

Milot Avdyli në aksion gjatë ndeshjes Kosovë U21 – Gjermani U21

“Avdyli ka luajtur një sezon të mirë dhe ka pasur paraqitje shumë të mira. Ai luajti në mbrojtje në anën e majtë, por edhe në ofansivë, pra mund të luajë në disa pozita. E ka merituar ftesën time”, kishte deklaruar Foda.

Avdyli është pjesë e Celjes në Slloveni. Në edicionin e kaluar, ai kishte regjistruar 46 paraqitje në të gjitha garat me klubin slloven, duke shënuar tri gola dhe duke dhuruar 12 asistime.

Edhe në sezonin aktual, Avdyli kishte vazhduar të ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke zhvilluar 14 ndeshje në të gjitha garat, me një gol dhe një asistim.

Pas ftesës së shumëpritur, ai iu bashkua grupit të Kosovës dhe tregoi se pritja nga pjesa tjetër e ekipit kishte qenë shumë e mirë.

“Mirëpritja ka qenë mjaftë e mirë, ka shumë futbollistë që kam luajtur përpara me ta, por edhe futbollistët që kanë me më shumë eksperiencë më kanë pritur shumë mirë, si mua ashtu edhe dy futbollistë e tjerë, kështu që jemi shumë të lumtur”.

Ajo që për vite ishte vetëm një dëshirë, tashmë është bërë realitet për Avdylin. Pas gjithë rrugëtimit me grupmoshat e Kosovës dhe pritjes së gjatë për një ftesë, ai më në fund e ka marrë mundësinë për të treguar vlerat e tij në skenën më të madhe. Tash, gjithçka mbetet në këmbët e tij, për ta kthyer atë pritje të gjatë në një histori të suksesshme me fanellën e Kosovës./Telegrafi/