Ish-mbrojtësi i Chelseat, Malang Sarr, raportohet se është përballur me një incident të pazakontë gjatë një darke me bashkëlojtarët në Malaga të Spanjës, në muajin korrik.
Sipas raportimeve, Sarr, i cili këtë verë iu bashkua klubit saudit NEOM SC, dyshohet se është tërhequr mënjanë dhe është goditur disa herë me shuplaka nga një “grup francezësh të fuqishëm”, teksa po darkonte me bashkëlojtarët.
Sarr dhe bashkëlojtarët e tij po qëndronin në një pjesë të rezervuar të hotelit luksoz Elba Estepona Gran Hotel, kur francezët, të cilët pretendohet se ishin të lidhur me ish-agjentin e tij, iu afruan futbollistit.

Sipas L’Equipe, Sarr është tërhequr mënjanë dhe është goditur vazhdimisht me shuplaka gjatë incidentit. Megjithatë, futbollisti francez i ka mohuar këto pretendime.
Sipas raportimeve, përplasja lidhej me transferimin e tij fitimprurës në Arabinë Saudite. Sarr pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro nga një kontratë trevjeçare me NEOM SC.
Mbrojtësi francez kishte bashkëpunuar me disa agjentë para transferimit te NEOM, ndërsa sipas raportimit të L’Equipe, njëri prej tyre, i cili kishte marrë pjesë në negociatat me klubin saudit, ishte i pakënaqur me veprimet e Sarr.
Raportohet se francezët i kërkuan Sarrit të qëndronte aty dhe më pas kërkuan kompensim në emër të agjentit, kërkesë të cilën futbollisti dyshohet se e refuzoi.
Një ditë para incidentit të pretenduar, ish-agjenti i Sarrit raportohet se kishte dërguar edhe vëllain e tij në banesën e mbrojtësit të NEOM.
Policia spanjolle mbërriti në vendngjarje, ndërsa në hotelin me pesë yje shkoi edhe një përfaqësues i Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite për të marrë dëshmitë e personave të pranishëm.
Raportohet se intervistat u zhvilluan, por dëshmitarët që ndodheshin aty gjatë incidentit të pretenduar ndaj Sarrit refuzuan të japin deklarata për autoritetet spanjolle./Telegrafi/





