Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se fushata me kamionë të pajisur me ekrane në rrugët e Nju Jorkut përbën pjesë të një strategjie më të gjerë komunikimi, përmes së cilës, sipas tij, synohet të ndikohet opinioni perëndimor dhe Kosova të paraqitet si shtet “shtypës” ndaj komunitetit serb.
Në analizën me titull “Kamionët e ‘viktimizimit’ në Nju Jork”, Fetoshi e cilëson këtë veprim si një manovër të koordinuar të Serbisë dhe Rusisë, me synim që të ushtrohet presion ndaj Perëndimit dhe të ndërtohet një narrativë për “kriminalizimin” e Kosovës.
Sipas tij, as koha dhe as vendi i zhvillimit të kësaj fushate nuk janë zgjedhur rastësisht.
Kamionët me ekrane janë shfaqur në Nju Jork pak para nisjes së Debatit të Përgjithshëm dhe Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, periudhë kur qyteti bëhet qendër e aktivitetit politik, diplomatik dhe mediatik botëror.

Fetoshi thotë se kjo rrethanë rrit dukshëm mundësinë që mesazhet e transmetuara të marrin vëmendje më të madhe ndërkombëtare.
Megjithëse organizatorët e kanë paraqitur aksionin si nismë “humanitare”, Fetoshi pretendon se materialet vizuale përdorin pamje autentike nga periudha dhe ngjarje të ndryshme, të cilat më pas bashkohen në një rrëfim të vetëm.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i perceptimit se serbët në Kosovë përballen me një cikël të vazhdueshëm të “persekutimit”.
“Bëhet fjalë për një aparat propagandistik që ka përzgjedhur pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i shndërruar në ‘dëshmi’ për linçimin e vazhdueshëm të serbëve. Kjo përforcohet edhe me mesazhe që shprehin mbështetje për Presidentin Trump”, thuhet në analizë.
Në ekranet e kamionëve janë transmetuar pamje nga trazirat e marsit të vitit 2004, si dhe nga arrestime, protesta dhe ndërhyrje institucionale të viteve të mëvonshme.
Fetoshi vlerëson se nxjerrja e këtyre rasteve nga konteksti kohor dhe bashkimi i tyre në një sekuencë të vetme synon të krijojë përshtypjen e një modeli të vazhdueshëm të dhunës ndaj serbëve në Kosovë.
Ai vëren gjithashtu një ndryshim në raport me fushatat e ngjashme të dy viteve të fundit. Sipas tij, më herët në kamionë ishin shfaqur edhe pretendime lidhur me krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ky element nuk është evidentuar deri më tani në fushatën e sivjetme.
Fetoshi e lidh këtë ndryshim me deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë dhe me përpjekjet e Beogradit për ta paraqitur narrativën e vet rreth UÇK-së si tashmë të konfirmuar.
Në analizë, fushata në rrugët e Nju Jorkut lidhet edhe me paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sipas Fetoshit, kamionët me ekrane shërbejnë si një “vizualizim paralel” i të njëjtës linjë politike që Beogradi pritet ta paraqesë edhe në rrafshin diplomatik.
Ai shton se kjo narrativë përputhet edhe me qëndrimet e Rusisë mbi atë që Moska e quan aplikim të “standardeve të dyfishta” nga Perëndimi.
Në material përmenden deklarata të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe raportimi i mediumit RT Balkan, i cili fushatën e ka titulluar: “Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork”.
“Kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me ‘gabimin’ e vitit 1999”, vlerëson Fetoshi.
Sipas tij, pala serbe synon të ndërtojë një lidhje mes akuzave ndaj UÇK-së, shtetësisë së Kosovës, ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe zhvillimeve aktuale në veri të vendit.
Në të njëjtën kohë, Rusia, sipas Fetoshit, përpiqet ta përdorë këtë narrativë për të argumentuar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ka qenë e paligjshme dhe për të akuzuar vendet perëndimore për “hipokrizi”.
Në përfundim të analizës, Fetoshi paralajmëron se një fushatë e tillë nuk synon vetëm imazhin e Kosovës, por edhe raportet e Perëndimit me Ballkanin.
“Kamionët-ekranë në Nju Jork kanë eksportuar ‘mallin’ më të rrezikshëm për vlerat dhe kohezionin perëndimor, për lidershipin e ShBA-së dhe për paqen e brishtë në Ballkan”, përfundon ai./Telegrafi.





