Aston Martin Valhalla është tashmë një makinë tejet e rrallë, me një prodhim të kufizuar në vetëm 999 njësi në mbarë botën.
Bëhet fjalë për një makinë që ofron performancë që e pozicionon diku midis Lamborghini Revuelto dhe hipermakinave shumë më të shtrenjta, si Ferrari F80 dhe McLaren W1.
Dhe tani, thuhet se po zhvillohet një version edhe më ekskluziv.

Raportohet se Aston Martin po përgatitet të lansojë një model Valhalla Spider që në muajin nëntor dhe ka gjasa të prodhojë edhe më pak njësi të tij sesa të versionit Coupe.
“The Supercar Blog” raporton se ajo do të përdorë një çati të llojit “targa” (pjesë e heqshme), në vend të një çatie të fortë ose të butë që paloset, gjë që do të shtonte kompleksitetin dhe peshën.
Gjithashtu, makina nuk ka hapësirë për të ruajtur asnjërin prej këtyre mekanizmave palosës, ndaj një çati “targa” – të cilën pronarët mund ta heqin dhe ta lënë mënjanë – mbetet opsioni i vetëm i realizueshëm.
Megjithatë, nuk pritet të ketë modifikime në sistemin e fuqisë së Valhalla-s për modelin e ri Spider.
Kështu, ajo do të vazhdojë të përdorë motorin V8 4.0-litërsh “twin-turbo” nga Mercedes-AMG, në bashkëpunim me tre motorë elektrikë: dy të vendosur përpara dhe një në pjesën e pasme.
Fuqia e kombinuar pritet të jetë e njëjtë me atë të modelit Coupe: 1,064 kuaj-fuqi dhe 1,100 Nm çift rrotullues.
Motori nga AMG do të shoqërohet nga një transmision me tetë shpejtësi – duke e dërguar fuqinë te të katërta rrotat.
Modeli standard peshon 1,655 kg dhe, ndonëse Spider-i ka gjasa të jetë pak më i rëndë, nuk pritet të kalojë 1,700 kg, falë strukturës së makinës prej fibre karboni. /Telegrafi/





