Arabia Saudite hyn në industrinë e veturave me dy automjete elektrike spektakolare

Teknologji

Arabia Saudite po synon të bëhet një emër serioz në industrinë e automobilëve dhe tashmë ka hedhur një hap të madh në këtë drejtim. Ceer, marka e parë automobilistike vendase e vendit, ka prezantuar modelet e saj të para të prodhimit – dy makina tërësisht elektrike me një dizajn futurist që duket sikur kanë dalë […]

Madhësia e shkronjave

Arabia Saudite po synon të bëhet një emër serioz në industrinë e automobilëve dhe tashmë ka hedhur një hap të madh në këtë drejtim. Ceer, marka e parë automobilistike vendase e vendit, ka prezantuar modelet e saj të para të prodhimit – dy makina tërësisht elektrike me një dizajn futurist që duket sikur kanë dalë nga një film fantastiko-shkencor.

Modelet e reja quhen Exobot dhe vijnë në dy versione: sedan dhe SUV. Ceer u krijua në vitin 2022 nga Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite (PIF) dhe Foxconn, si pjesë e planit të Mbretërisë për të ndërtuar një industri vendase të automobilëve.

Gjatë viteve të fundit, kompania ka zhvilluar kapacitetet e saj inxhinierike dhe prodhuese, duke bashkëpunuar edhe me BMW-në dhe një numër të madh furnitorësh ndërkombëtarë.

Të dy versionet e Exobot bazohen në të njëjtën arkitekturë modulare elektrike. Dizajni është jashtëzakonisht futurist, me përmasa të mëdha, profil në formë pyke, ndriçim shumë të hollë dhe një xham gjigant përpara, me gjatësi 2.4 metra.

Sedani është i gjatë 5.26 metra, ndërsa SUV-i 5.02 metra, me të dyja modelet që kanë gjerësi prej 2.1 metrash, transmeton Telegrafi.

Dizajni ka edhe elemente të frymëzuara nga Arabia Saudite. Ceer thotë se format e mprehta të karrocerisë janë frymëzuar nga arkitektura e lashtë e Hegra-s, ndërsa sistemi i ndriçimit me 32 elemente i referohet vitit 1932, kur u bashkua Mbretëria e Arabisë Saudite.

Por elementi që tërheq më shumë vëmendjen janë dyert. Të quajtura Shahin Wing Doors, ato janë pothuajse tre metra të gjata dhe hapen lart në një hark prej rreth 60 centimetrash. Dizajni është frymëzuar nga fluturimi i skifterit Shahin dhe dyert mund të hapen nga çelësi ose përmes komandave të vendosura në vetë dyert.

Sipas Ceer, ndryshe nga dyert klasike gullwing, sistemi lejon qasje si për pasagjerët përpara, ashtu edhe për ata në pjesën e pasme.

Edhe kabina vazhdon me të njëjtën qasje futuriste, me timon në formë ylli, teknologji steer-by-wire dhe xhama në pjesën e poshtme të dyerve që mund të bëhen transparentë ose opakë me prekjen e një butoni.

Në aspektin e performancës, Exobot nuk është më pak ekstrem. Të dyja modelet përdorin sistem me tre motorë elektrikë dhe tërheqje në të katër rrotat, ndërsa versioni fillestar prodhon deri në 850 kuaj fuqi.

Sedani arrin 100 km/h për vetëm 2.6 sekonda, ndërsa SUV-i për 2.9 sekonda. Motorët e përparmë prodhohen nga Hyundai Transys, ndërsa motori i pasëm vjen nga Rimac.

Të dy modelet përdorin bateri 112 kWh NCM dhe arkitekturë elektrike 800 volt, me mundësi karikimi nga 10 në 80 për qind në më pak se 30 minuta.

Autonomia e deklaruar arrin deri në 670 kilometra për sedanin dhe 560 kilometra për SUV-in, sipas ciklit NEDC. Megjithatë, këto shifra nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me standardet WLTP apo EPA dhe autonomia reale pritet të jetë më e ulët.

Dhe Ceer ka rezervuar edhe një version akoma më të fuqishëm. Varianti më i lartë i Exobot do të prodhojë 1,111 kuaj fuqi dhe 1,500 Nm çift rrotullues.

Në këtë konfigurim, sedani do të arrijë 100 km/h për vetëm 2.1 sekonda dhe shpejtësi maksimale prej 250 km/h, ndërsa SUV-i do ta bëjë sprintin për 2.4 sekonda dhe do të arrijë deri në 210 km/h.

Modelet e para do të shiten si First Edition, përpara versionit Plus. First Edition do të ketë 850 kuaj fuqi, 1,000 Nm çift rrotullues, baterinë 112 kWh, interier me lëkurë Nappa kuqezi, përfundime speciale të jashtme dhe një pllakë të numërtuar që përputhet me numrin VIN të automjetit.

Por Exobot është vetëm fillimi. Ceer planifikon të prezantojë shtatë modele deri në vitin 2030, përfshirë automjete më të vogla dhe të mesme, si dhe sisteme të ndryshme shtytjeje.

Kompania thotë se modelet e ardhshme nuk do të jenë vetëm elektrike. Nëse ka kërkesë nga konsumatorët, Ceer planifikon të ofrojë edhe automjete me motorë me djegie të brendshme.

Të gjitha modelet janë planifikuar të prodhohen në kompleksin e Ceer në King Abdullah Economic City, të cilin kompania e përshkruan si kompleksin më të madh të prodhimit të automobilëve në Lindjen e Mesme.

Kështu, Exobot nuk synon të jetë thjesht një tjetër makinë elektrike me dizajn spektakolar. Për Arabinë Saudite, ai është pjesë e një projekti shumë më të madh për të krijuar një industri automobilistike të ndërtuar dhe zhvilluar brenda vendit. /Telegrafi/