Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka dalë sot në konferencë për media, në prag të katër ndeshjeve të radhës në Ligën e Kombeve, ku “Dardanët” do të përballen me Irlandën më 24 shtator, Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.
Foda ka bërë të ditur se skuadra do të përgatitet maksimalisht për këto sfida, duke theksuar se objektivi i tij dhe i futbollistëve mbetet i njëjtë në çdo ndeshje – të kërkohet fitorja.
Në konferencë, Foda është ndalur edhe te dy prej futbollistëve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren e Kosovës, Fidan Aliti dhe Valon Berisha, të cilët nuk do të jenë më pjesë e ekipit përfaqësues.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për të dy lojtarët dhe ka vlerësuar atë që kanë bërë gjatë viteve me fanellën e Kosovës.
“Dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të veçantë për Fidan Alitin, për kontributin dhe paraqitjet e tij të shkëlqyera me fanellën e Kombëtares së Kosovës. Ai ka dhënë shumë për këtë ekip dhe meriton respekt të plotë për gjithçka që ka bërë për Kombëtaren”.
“Dua të falënderoj edhe Valon Berishën, i cili ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë sonë, duke shënuar golin historik kundër Finlandës. Ai zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën, duke lënë Kombëtaren e Norvegjisë, dhe për këtë, si dhe për gjithë kontributin e tij me fanellën tonë, meriton mirënjohjen dhe respektin tonë”, ka deklaruar Foda.
Kosova tashmë është para një periudhe të ngjeshur, pasi në vetëm dhjetë ditë do të zhvillojë katër ndeshje në Ligën e Kombeve. /Telegrafi/






