Dita kur u zgjuam

opinion

Ditët pas vendimit të Hagës kanë qenë ditë vaji për shumë shqiptarë. Do t’i shkonte shumë kësaj dhimbjeje edhe flamuri në gjysmështizë. Mendoj se këto ditë meritojnë të kenë një emër të veçantë. Ndoshta “Ditët e Vajtimit”. U mblodhën shumë gjëra bashkë dhe na trazuan krenarinë, plagët dhe emocionet. Të tria i kemi me bollëk. […]

Madhësia e shkronjave

Ditët pas vendimit të Hagës kanë qenë ditë vaji për shumë shqiptarë. Do t’i shkonte shumë kësaj dhimbjeje edhe flamuri në gjysmështizë. Mendoj se këto ditë meritojnë të kenë një emër të veçantë.

Ndoshta “Ditët e Vajtimit”. U mblodhën shumë gjëra bashkë dhe na trazuan krenarinë, plagët dhe emocionet. Të tria i kemi me bollëk. Ditët e zisë, si rregull, zgjasin deri në shtatë ditë – kështu thonë zakonet. Dhe ndoshta kështu duhet ta bëjmë edhe ne. Të qajmë, të trishtohemi, të zemërohemi, të kujtojmë. Dhe në fund të ditës së shtatë, të lajmë fytyrën, të mbyllim derën për vizitorët e zisë dhe të dalim nga shtëpia. Të dalim jo për të pritur vajtimin tjetër, por për t’u përgatitur që ai të mos na zërë në “befasi”, si ky i fundit. Sepse, në fakt, as befasi nuk ishte.

Nëse nuk e kemi kuptuar as tani se, po vazhduam të përsërisim gabimet tona dhe të “surprizohemi” nga pasojat e tyre, atëherë vajtimi tjetër kolektiv mund të vijë shumë shpejt dhe mund të jetë edhe më i madh se ky i fundit. Prandaj, ndoshta ka vlerë pyetja: A do t’i kujtojmë këto ditë si “Ditët e fundit të Vajtimit”? Apo do të kthehemi përsëri tek analizat pa fund, tek inatet, tek harresa? Dhe te vajtimi i radhës që pret tek dera? Apo do t’i kujtojmë si ditët e zgjimit?

Unë jam shpresëplotë se kjo tronditje e përbashkët, ky vendim, na kanë bërë të shohim disa gjëra më qartë. Mundet të tingëllojë ca patetike, por mendoj se na kanë afruar me njëri-tjetrin. Se ne kemi Kosovën, kemi Shqipërinë, kemi shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe kemi një diasporë të madhe e shumë patriote. Mund të jemi të shpërndarë në shumë vende, por nuk jemi pa njëri-tjetrin. E mbrojmë njëri-tjetrin. Dhe këto nuk janë pak.

Dënimi në Hagë, me gjithë irritimin dhe inatin e madh që ngjalli, më bëri të shoh qartë gjithashtu se atë që kemi arritur me Kosovën nuk na e merr dot asnjë gjykatë. As sakrificat e atyre që u dënuan me çfarëdo ligji apo “drejtësie” tokësore. As festat e mbrapshta të disa komshinjve … Pavarësia e Kosovës mbetet e fortë. Por, pa dyshim, tani, edhe për shkak të mundësisë së shfrytëzimit manipulativ të këtij vendimi, ajo është nën shënjestër nga shumë drejtime.

Ndaj besoj fort se tash e tutje do t’i hapim më mirë sytë dhe do ta mbrojmë bashkë pavarësinë, këtë fitore të jashtëzakonshme historike, këtë arritje të madhe të përbashkët të shqiptarëve, të popujve dhe të miqve që na mbështetën. Pa naivitet. Pa emocion. Me vizion. Me diplomaci.

Edhe diçka kuptova. Kosova pati në këto ditë një gjoks më shumë ku mund ta mbështeste kokën në ditët e vajit: Shqipërinë dhe shqiptarët në atdheun amë të saj. Historia na ka ndarë në kufij, por lidhja me trungun nuk është këputur. Ajo është aty. Nuk e di pse, por kam një shpresë të fortë se historia do të shkruajë një ditë: Ditët e vajtimit pas vendimit të Hagës ishin edhe ditët kur shqiptarët u zgjuan.