Rezultatet e fundit katastrofike të zgjedhjeve, me kalimin e kohës, mund të rezultojnë si goditja përfundimtare për Friedrich Merzin.
Nga: Daniel Johnson / The Telegraph (titulli: Germany is as deeply divided as when the Iron Curtain cleaved it in two) Përkthimi: Telegrafi.com
Gati katër dekada pas rënies së Murit të Berlinit, ai ende ekziston në mendjet e miliona gjermanëve. Kushdo që dyshon për këtë, mjafton të shohë rezultatet e dy zgjedhjeve më të fundit rajonale.
Në landin e dikurshëm të Gjermanisë Lindore, Meklenburg-Pomerania Perëndimore, nacionalistët e së djathtës së skajshme të Alternativës për Gjermaninë (AfD) fituan bindshëm, me 38.5 përqind sipas ekzit-poleve, jo shumë larg fitores së parë dërrmuese në Saksoni-Anhalt dy javë më parë. Tani do të jetë edhe më e vështirë të mbahet “muri mbrojtës” kundër AfD-së, e cila vazhdon të marrë momentumin.

Por, rezultati më goditës në këtë rajon të varfëruar bregdetar në Verilindje, ishte se kristiandemokratët (CDU), dikur dominues, pritej që mezi ta kalonin pragun e nevojshëm prej pesë përqind për të fituar vende në legjislaturën e landit. Siç e pranoi vetë kancelari Friedrich Merz, kjo ishte “një katastrofë”.
Ndërkohë, fituesi i qartë i zgjedhjeve në qytet-landin e Berlinit ishte Die Linke (E Majta), partia pasardhëse e ish-komunistëve të Gjermanisë Lindore. Sondazhet e daljes parashikojnë se CDU-ja doli e dyta me rezultat të dobët, tetë pikë më poshtë se herën e kaluar. I vetmi ngushëllim për Merzin ishte se AfD-ja duket se pati rezultat më të dobët se sa pritej në Berlin.
Kështu, rezultatet zbuluan një komb po aq thellësisht të ndarë sa ishte kur Perdja e Hekurt e ndante Gjermaninë më dysh. Ky polarizim nuk mund t’i faturohet Luftës së Ftohtë, por më tepër një heqjeje fatale nga përgjegjësia nga ana e elitave politike të vendit.
Zhgënjimi i lindur nga ky dështim i udhëheqjes ka shkaktuar një Kanzlerkrise – një krizë besimi ndaj kancelarit.
Tashmë më jopopullor se cilido prej paraardhësve të tij të pasluftës, me nivel mbështetjeje që ka rënë deri në 13 përqind, Merzi anuloi javën e kaluar një udhëtim të rëndësishëm në Nju-Jork. Një letër e hapur nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, që synonte të qetësonte panikun, nuk e përmendi atë as me emër. Ndërsa shtoheshin spekulimet se rivalët e tij mund të vepronin për ta rrëzuar, Merzi thirri një takim urgjent të rreth dy duzinave të figurave kryesore të CDU-së – që përkonte me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.
Kur doli nga takimi, kancelari dukej i tronditur, por këmbënguli se do të merrte përgjegjësinë për të dëshmuar se “Gjermania është e aftë për reforma”. Ai denoncoi “helmin autoritar” të “partive radikale të së majtës dhe së djathtës”, të cilat, sipas tij, po e minonin vendin.
E ardhmja e këtij kancelari tani është në pikëpyetje. Por, do të ishte gabim që Merzi të konsiderohej i mbaruar. Duke pasur parasysh ditët e fundit kaotike të Republikës së Vajmarit, hartuesit e Ligjit Themelor të Gjermanisë Perëndimore të vitit 1949 krijuan garanci të forta kushtetuese për të ruajtur stabilitetin e qeverisjes.
Prandaj, është e pazakontë që kancelarët gjermanë të largohen nga detyra para kohe. Nga nëntë udhëheqësit e pasluftës të Republikës Federale, ka pasur vetëm tri raste të tilla. Willy Brandt dha dorëheqjen pas një skandali spiunazhi, ndërsa Ludwig Erhard dhe Helmut Schmidt u detyruan të largoheshin pasi koalicionet e tyre u shpërbënë.
Prandaj, që Merzi të detyrohej të largohej nga detyra nga vetë partia e tij, në mes të trazirave kombëtare dhe ndërkombëtare, do të ishte diçka e paprecedentë. Do të ishte gjithashtu jashtëzakonisht e rrezikshme për CDU-në.
Së pari, Merzi mund të mos pranonte të largohej në heshtje. Ai mund ta ndëshkonte mungesën e besnikërisë së kolegëve të tij duke këmbëngulur për një votëbesim në Bundestag. Edhe nëse do ta humbte një votë të tillë, si kancelar ai ka të drejtën kushtetuese t’i kërkojë presidentit ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje federale. Kërkesa mund të refuzohet, por një refuzim i tillë do të ishte i paprecedentë në historinë e Republikës Federale.
Pra, detyrimi i Merzit për t’u larguar nga detyra, mund të çonte në zgjedhje të cilat pothuajse me siguri do të ishin katastrofike për partitë e vjetra, veçanërisht për CDU-në. Gjithashtu, është krejtësisht e paqartë se kush mund ta pasonte: nuk ka asnjë kandidat me përvojën, karizmën dhe prestigjin e nevojshëm për ta ribashkuar partinë pas një dështimi të tillë.
Prandaj, më e mundshmja është që Merzi të vazhdojë, ndonëse i dobësuar rëndë. Marrëveshja e tij e madhe me elektoratin është nxjerrë nga shinat nga ngjarjet mbi të cilat ai ka pak ose aspak kontroll.
Kur mori detyrën 19 muaj më parë, Merzi premtoi të siguronte kufijtë, të shpëtonte Ukrainën dhe ta ringjallte ekonominë me një program të madh riarmatimi. Ndërsa kontrollet kufitare vërtet janë forcuar, lufta e Putinit në Ukrainë dhe lufta e Trumpit në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, të dyja, dhe pasojat e tyre të rënda për ekonominë evropiane vetëm sa do të shtohen gjatë muajve të dimrit.
Ndërkohë, ndikimi i Kinës po e gërryen nga brenda ekonominë gjermane, duke i çuar gjigantët industrialë si Volkswagen drejt greminës. Merzi, biznesmeni, premtoi ta kthente mbrapsht këtë rënie, por duket i pafuqishëm ndërsa “parimi i masës paraprake” i BE-së e mbyt inovacionin dhe tarifat e Trumpit i godasin për vdekje eksportet gjermane.
Në bregdetin e Baltikut, jeta ka qenë gjithmonë e vështirë.
Ashtu si malësorët skocezë, pomeranezët dikur ishin të famshëm për zotësinë e tyre luftarake. Bismarcku tha se Ballkani “nuk vlente as sa eshtrat e një grenadieri të vetëm pomeranez”. Por, pikërisht në portin kryesor të Meklenburgut, Rostok, shpërthyen në vitin 1992 trazirat më famëkeqe të Gjermanisë së pasluftës, kur një turmë i vuri zjarrin një strehimoreje refugjatësh.
Ksenofobia vetëm sa u nxit nga politikat e kufijve të hapur të Angela Merkelit dhe, gjatë dekadës së fundit, AfD-ja e ka zgjeruar kontrollin e saj mbi rajonin. Prandaj, nuk ishte befasi që vota për CDU-në atje u tkurr. Ajo që e ka tronditur edhe Merzin, zakonisht të qëndrueshëm përballë goditjeve, është se ai dhe partia e tij janë reduktuar në rolin e spektatorëve – të pafuqishëm dhe të parëndësishëm.
Në Berlin, fragmentimi i partive e lë kryeqytetin edhe më të paqeverisshëm se më parë. Gjendja shpirtërore shkon nga pesimizmi deri te ndjenja e apokalipsit.
Çfarë mund të bënte Merzi? Ligji Themelor i vë në dispozicion kompetencat rezervë: ndalimin e AfD-së si parti “ekstremiste”, ose përdorimin e kompetencave të emergjencës për ta penguar AfD-në të formojë një qeveri landi. Por, përdorimi i mjeteve të tilla jodemokratike për të mbrojtur demokracinë mban erë dëshpërimi. As edhe një kancelar i fortë nuk do të mund t’ia dilte me masa kaq drastike, e aq më pak Merzi tashmë i dobësuar rëndë.
Humbja e CDU-së në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore ishte, me diferencë të madhe, më e keqja në historinë e saj – për një parti që deri tani ka qenë një nga partitë më të suksesshme të qendrës së djathtë në botë. Që partia e Adenauerit dhe Kohlit të poshtërohet në këtë mënyrë, me kalimin e kohës mund të rezultojë si goditja përfundimtare për udhëheqësin e saj të tanishëm, Friedrich Merz. /Telegrafi/




