Jordania, Kuvajti, Katari dhe Arabia Saudite të dielën dënuan një vizitë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe një grup hebrenjsh nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Ministria e Jashtme e Jordanisë e përshkroi këtë si “një shkelje të hapur të status quo-së ekzistuese historike dhe ligjore në Al-Aksa dhe një përdhosje të shenjtërisë së saj”.
Ministria tha se i refuzon dhe i dënon me forcë lëvizjet e tilla nga ministrat dhe zyrtarët izraelitë të shoqëruar nga grupe hebraike, si dhe lehtësimin e veprimeve të tilla nga policia izraelite.
Ajo i quajti masat “një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare” dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për të imponuar realitete të reja ose për të ndarë xhaminë në mënyrë kohore dhe hapësinore.
Jordania tha gjithashtu se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Jerusalemin e pushtuar ose vendet e shenjta myslimane dhe të krishtera atje dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndaluar shkeljet.
Ajo përsëriti se i gjithë kompleksi Al-Aksa është një vend adhurimi mysliman dhe se Vakëfi Islamik i Jerusalemit i lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë është autoriteti i vetëm ligjor përgjegjës për administrimin dhe aksesin në të.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit në mënyrë të ngjashme e përshkroi vizitën e ministrit Ben-Gvir me një grup hebrenjsh nën mbrojtjen e policisë si “një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe një akt provokues”.
Ajo bëri thirrje për veprime ndërkombëtare për t’i dhënë fund shkeljeve të tilla dhe përsëriti mbështetjen e saj për të drejtat palestineze, duke përfshirë krijimin e një shteti të pavarur palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Ministria e Jashtme e Katarit e quajti aktin “një shkelje të hapur dhe një provokim të papranueshëm” kundër ndjenjave të miliona myslimanëve në të gjithë botën.
Ajo tha se masat e njëanshme që synojnë status quo-në historike dhe ligjore në Jerusalem dhe vendet e tij të shenjta janë të pavlefshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi se provokimet e vazhdueshme mund të nxisin dhunë të mëtejshme dhe të minojnë stabilitetin rajonal.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite gjithashtu e dënoi lëvizjen me fjalët më të ashpra, duke e quajtur atë “një shkelje dhe provokim të hapur për myslimanët në mbarë botën”.
Ajo hodhi poshtë veprimet provokuese dhe të paligjshme nga zyrtarët izraelitë dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbajë përgjegjësinë e saj për të ndaluar shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar.
Në anën tjetër, 992 pushtues izraelitë hynë në kompleks përpara Yom Kippur, një nga festat kryesore fetare të judaizmit.
Autoritetet palestineze dhe jordaneze kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër përpjekjeve për të ndryshuar status quo-në në Al-Aksa ose për të imponuar ndarje kohore dhe hapësinore në vend.
Vizita të tilla janë rritur vitet e fundit, veçanërisht gjatë festave hebraike. /AA/






