Pas javësh aludimesh në rrjetet sociale dhe në mediat rozë për një ndarje të mundshme mes Sarah Berishës dhe DJ PM, ka ardhur edhe reagimi i parë nga influencerja.
Sarah dhe DJ PM, të cilët e nisën lidhjen e tyre gjatë eksperiencës në Big Brother VIP Albania, kanë qenë prej vitesh një nga çiftet më të komentuar në rrjetet sociale.

Dyshimet për një krisje në marrëdhënien e tyre nisën disa javë më parë, pasi dyshja hoqi njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve në Instagram.
Tashmë edhe Sarah ka konfirmuar vetë se lidhja e tyre ka përfunduar.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në Instagram, ajo u pyet nëse vazhdonin të ishin bashkë.
“Jo, ne nuk jemi më bashkë. U bë disa muaj që jemi ndarë (shumë përpara se të dilte lajmi). Disa gjëra janë të shkruara për të mos zgjatur gjithmonë, por e mira është që, kur marrin fund, të ruajmë respekt për njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.
Sarah shtoi se e ndiente të nevojshme të jepte këtë sqarim për të gjithë ata që i kanë mbështetur dhe ndjekur gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, që nga Big Brother e deri më sot.
Në të njëjtën kohë, nga deklarata e saj duket se influencerja nuk dëshiron të japë më shumë detaje rreth arsyeve të ndarjes dhe preferon që kjo temë të mbetet pas tyre. /Telegrafi/





