Manchester City ka marrë një fitore spektakolare në javën e pestë të Ligës Premier , duke mposhtur Sunderlandin e Granit Xhakës e rezultat 5-3 në një ndeshje të mbushur me gola dhe emocione.
Skuadra e Pep Guardiolës e nisi furishëm takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e nëntë. Enzo Fernandez ekzekutoi në mënyrë fantastike një goditje dënimi, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Sunderland reagoi shpejt dhe në minutën e 12-të Brian Brobbey barazoi rezultatin. Sulmuesi përfitoi nga një pasim i gjatë dhe i saktë i Enzo Le Fée, duke dalë i lirë në zonë dhe duke realizuar për 1-1.
Man City e riktheu epërsinë në minutën e 29-të, kur Rayan Cherki shënoi pas një aksioni të rrëmujshëm në zonën e Sunderlandit.
Megjithatë, Brobbey ishte përsëri aty për Sunderlandin. Në minutën e 33-të, ai realizoi golin e dytë personal pas një pasimi perfekt, duke barazuar sërish rezultatin në 2-2. Pas një kontrolli të gjatë të VAR-it për pozicion jashtë loje, goli u konfirmua.
Por Manchester City reagoi në fundin e pjesës së parë dhe Antoine Semenyo shënoi për 3-2 në minutën e 43-të.
Manchester City e nisi pjesën e dytë me synimin për ta mbyllur ndeshjen dhe në minutën e 57-të Semenyo shënoi sërish. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i madh i kundërshtarit dhe me një goditje të fuqishme e çoi rezultatin në 4-2.
Sunderland nuk u dorëzua dhe vetëm dy minuta më vonë Brobbey kompletoi het-trikun, duke e ngushtuar rezultatin në 4-3. Sulmuesi holandez ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, por City arriti ta ruajë epërsinë.
Në minutën e 81-të, Erling Haaland vulosi fitoren e Manchester Cityt. Norvegjezi pranoi një pasim në zonë dhe me një goditje të fuqishme në këndin e poshtëm shënoi për 5-3.
Sunderland tentoi të reagonte në minutat e fundit, madje pati një mundësi të artë në shtesë, por Daniel Ballard goditi pranë shtyllës.
Me këtë fitore, Manchester City merr tri pikë të rëndësishme në javën e pestë dhe mbetet në krye, me 15 pikë. Sunderland është i 14-ti me 4 pikë. /Telegrafi/






