Kryenegociatori i Iranit deklaroi të dielën se Teherani i ka përcjellë Uashingtonit, përmes ndërmjetësve, kushtet e tij për rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, të cilën e ka bllokuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së luftës në Lindjen e Mesme.
Dy palët kundërshtare ndodhen në një ngërç, disa muaj pas fillimit të konfliktit që nisi me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të muajit shkurt.
Që atëherë, Teherani ka mbajtur nën kontroll të rreptë Ngushticën e Hormuzit – një rrugë jetike detare për transportin e naftës dhe gazit në botë – ndërsa Uashingtoni po zhvillon një fushatë për të paralizuar portet dhe ekonominë e Iranit.
“Mesazhet tona dhe shpjegimi i kushteve tona u janë përcjellë qartë palës tjetër përmes ndërmjetësve”, ka thënë kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka shërbyer si kryenegociator në bisedimet për t’i dhënë fund luftës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Për sa kohë që kushtet nuk plotësohen… dhe angazhimet e SHBA-së nuk respektohen, do të jetë e pamundur të kthehemi në situatën e para negociatave dhe në një ngushticë të hapur”, shtoi ai, sipas televizionit shtetëror.
Ghalibaf tha gjithashtu se Irani duhet edhe të luftojë, edhe të negociojë, duke shtuar se Teherani do të përdorë forcën ushtarake për të zmbrapsur armiqtë dhe diplomacinë për të konsoliduar arritjet në fushën e betejës kur të vijë momenti i duhur.
Ndërkohë, Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi të shtunën se Irani i kishte përcjellë kushtet e tij SHBA-së përmes ndërmjetësit, Katarit.
“Kushtet tona janë: dhënia fund e luftës në të gjitha frontet, lirimi i fondeve tona të ngrira dhe heqja e bllokadës detare”, theksoi ai.
Autoritetet iraniane njoftuan se ministri i Brendshëm i Pakistanit (vend që gjithashtu vepron si ndërmjetës), Mohsin Naqvi, do të udhëtojë drejt Teheranit të dielën për bisedime.
Ndërkohë, komanda qendrore ushtarake iraniane “Khatam al-Anbiya” lëshoi një kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara të dielën, përmes një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror.
“Ne paralajmërojmë se nëse SHBA-ja bën ndonjë gabim në qasjen ndaj… Iranit, të gjitha bazat dhe interesat e atij vendi… do të bëhen shënjestër e sulmeve të vazhdueshme, efektive dhe të dhimbshme, pa asnjë kufizim apo frenim”, thuhej në deklaratë. /Telegrafi/






