Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për një numër çështjesh gjatë konferencës për media të mbajtur të enjten, ku ndër të tjera është ndalur te Granit Xhaka, Ardon Jashari, Uran Bislimi, Leon Avdullahu dhe Valon Behrami.
Sa i përket kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, Yakin ka theksuar rëndësinë e tij për përfaqësuesen, duke bërë të ditur se mosha nuk është faktor vendimtar për përzgjedhjen e lojtarëve.
“Nuk ka të bëjë me moshën e lojtarëve. Ka të bëjë me formën e tyre fizike. Për sa kohë që performojnë mirë dhe luajnë për klubet e tyre, Granit Xhaka dhe Remo Freuler janë të rëndësishëm për ne. Dyshja është e koordinuar mirë dhe rutinat po funksionojnë mirë”, ka deklaruar Yakin.
Ai ka lënë të hapur mundësinë që Ardon Jashari të ketë më shumë minuta në të ardhmen, duke vlerësuar paraqitjet e tij në stërvitje.
“Duhet më shumë për t’u integruar në ekip në atë pozicion. Por kam idenë t’u jap një ose dy lojtarëve një shans. Ardoni, për shembull, gjithmonë jep performanca të mira në stërvitje. Është mjaft e mundshme që ai të startojë në një moment”, shtoi përzgjedhësi zviceran.
Yakin ka bërë të ditur listën prej 25 lojtarësh për ndeshjet ndaj Maqedonisë së Veriut, Skocisë dhe Sllovenisë në Ligën e Kombeve. Zvicra bën pjesë në Grupin 1 të Ligës B.
Për Jasharin, i cili aktualisht është pjesë e Milanit, Yakin ka thënë se konkurrenca në një klub të madh mund ta ndihmojë shumë në zhvillimin e tij.
“Gjithmonë varet se si reagon lojtari. Milani është një klub shumë i madh me shumë konkurrencë. Ai nuk mund të dorëzohet. Ne e vlerësojmë profilin dhe përkushtimin e tij. Edhe në Kupën e Botës, ai vazhdimisht dha performanca të shkëlqyera në stërvitje. Ai gjithmonë jep gjithçka nga vetja dhe është një lojtar ekipi”, ka thënë Yakin.
“Fakti që ai ka vendosur të qëndrojë te Milani është i rëndësishëm. Gjëja kryesore është se ai është në duar të mira me ne dhe me siguri do të marrë hapësirë në katër ndeshjet”, shtoi ai.
Jashari deri më tani ka 11 paraqitje me fanellën e Zvicrës.
Yakin është ndalur edhe te Uran Bislimi, për të cilin ka thënë se është shumë pranë rikthimit në përfaqësuese.
“Jemi shumë mirë të pozicionuar. Uran Bislimi është shumë afër për t’u bërë pjesë e skuadrës. Shpresoja që ai të bënte një transferim jashtë vendit, pasi kjo gjithmonë sjell shumë përfitime. Por ai po luan shumë mirë për momentin”, u shpreh Yakin.
“Jemi shumë të pajisur mirë në qendër të fushës. Por nëse do të ndodhte diçka, ai është shumë afër të thirret”, shtoi përzgjedhësi i Zvicrës.
Bislimi, i cili në vitin 2022 kishte zhvilluar dy ndeshje për Kosovën para se t’i bashkohej ekipit A të Zvicrës, ka dy paraqitje me ‘helvetikët’.
Herën e fundit ishte ftuar në vitin 2024, por kishte qëndruar në stol ndaj Danimarkës dhe Spanjës në Ligën e Kombeve.
Në konferencë, Yakin është pyetur edhe për Leon Avdullahun, i cili është bërë një prej lojtarëve të rëndësishëm të mesfushës së Kosovës.
Mesfushori i Hoffenheimit ka zhvilluar shtatë ndeshje me fanellën e “Dardanëve”, pasi vitin e kaluar vendosi ta përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar dhe jo Zvicrën.
Në pyetjen nëse Federata Zvicerane duhet të shqetësohet për vendimet e Avdullahut dhe Alessandro Romanos për të ardhmen e tyre ndërkombëtare, Yakin u përgjigj:
“Nuk kemi pse të shqetësohemi fare në mesfushën qendrore. Ajo që ka vërtet rëndësi është që ata të na përkushtohen 100 për qind”.
Romano ka vendosur që në të ardhmen të përfaqësojë Italinë, ndërsa ish-mesfushori i Zvicrës, Valon Behrami, ka kritikuar Federatën Zvicerane të Futbollit për mënyrën se si është menaxhuar rasti i tij.
Yakin i ka cilësuar kritikat e Behramit si të papërshtatshme.
“Deklarata të tilla nuk janë të dobishme. Por ne duhet të jetojmë me vendimin dhe jam i lumtur që po punoj me lojtarë që janë 100 për qind të përkushtuar ndaj nesh”, përfundoi Yakin. /Telegrafi/






