Damati: Në Apel vendimi mund të ndryshohet, katër ish-krerët e UÇK-së mund të lirohen edhe nga përgjegjësia penale

Nacionale

Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokati Musa Damati ka shpjeguar procedurat juridike që pasojnë dhe mundësinë e apelimit të vendimit në shkallët më të larta të drejtësisë. Damati ka theksuar se, para së gjithash është e rëndësishme të bëhet dallimi mes përgjegjësisë individuale penale dhe […]

Madhësia e shkronjave

Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokati Musa Damati ka shpjeguar procedurat juridike që pasojnë dhe mundësinë e apelimit të vendimit në shkallët më të larta të drejtësisë.

Damati ka theksuar se, para së gjithash është e rëndësishme të bëhet dallimi mes përgjegjësisë individuale penale dhe luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Fillimisht është e rëndësishme të sqarohet dhe shumë kruciale se aktgjykimi i Hagës nuk e ka kriminalizuar lëvizjen dhe përpjekjet e popullit të Kosovës në luftën për pavarësi dhe liri kundër okupatorit serb”, ka deklaruar Damati.

Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm është përmbajtja e aktgjykimit lidhur me akuzat për krime kundër njerëzimit.

“Së dyti, është e rëndësishme po ashtu të theksohet se në asnjë pjesë të saj aktgjykimi i Hagës nuk e ka provuar akuzën e prokurorisë lidhur me pretendimin për krime kundër njerëzimit. Pra, nuk ka akuzë të vërtetuar për krime kundër njerëzimit”, ka thënë ai.

Damati ka bërë gjithashtu një krahasim me vendimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke theksuar se në atë proces janë trajtuar dhe konstatuar krime të kryera ndaj popullsisë civile në Kosovë.

Në vijim, avokati ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe se palët kanë të drejtë ta apelojnë atë.

“Vendimi nuk është i formës së prerë, i njëjti mund të apelohet dhe mendoj natyrisht se do të apelohet. Shkalla e dytë ka kompetencë dhe jurisdiksion që ta ndryshojë këtë vendim”, ka deklaruar Damati.

Sipas tij, Gjykata e Apelit mund të ndërhyjë në vendimin e shkallës së parë në forma të ndryshme, përfshirë ndryshimin e tij, zbutjen e sanksioneve penale apo edhe lirimin e plotë nga përgjegjësia penale, nëse konstatohen bazat juridike për një vendim të tillë.

“Pra, vendimi edhe mund të ndryshohet, sanksioni penal të zbutet, por edhe mund të lirohen në tërësi nga përgjegjësia penale”, ka thënë ai.

Damati ka sqaruar se beteja juridike nuk përfundon domosdoshmërisht me vendimin e shkallës së dytë.

Sipas tij, pas ankesës në Apel, në rrethana të caktuara ekzistojnë edhe mjete të jashtëzakonshme juridike në shkallën e tretë.

“E drejta e apelimit përmes ankesës, përveç shkallës së dytë, përfshin tutje edhe vazhdimin në shkallën e tretë përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike”, ka deklaruar Damati.

Ai ka vlerësuar se procesi kërkon angazhim të madh juridik dhe se aktgjykimi përfundimtar mund të jetë ndryshe nga ai i shkallës së parë.

“Beteja juridike vazhdon dhe kërkon që të bëhet punë serioze juridike, dhe vendimi përfundimtar eventualisht mund të jetë krejtësisht ndryshe nga vendimi preliminar i shkallës së parë. Kjo ndodh jo rrallëherë në praktikën juridike”, ka përfunduar Damati.

Ndryshe, Gjykata Speciale dënoi të mërkurën katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Trupi gjykues theksoi se secili nga katër të akuzuarit mbajnë përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. /Telegrafi/