“Është një lojtar shumë i mirë” – Korenica po fiton besimin te FCSB

Sport

Meriton Korenica po fiton gjithnjë e më shumë besimin te FCSB, ndërsa paraqitja e tij e fundit dhe goli ndaj Petrolulit kanë bërë që kosovari të marrë edhe vlerësime të shumta në Rumani. Korenica, i cili iu bashkua FCSB-së gjatë afatit kalimtar të fundit pas largimit nga CFR Cluj, ishte kërkuar edhe nga Universitatea Craiova. […]

Madhësia e shkronjave

Meriton Korenica po fiton gjithnjë e më shumë besimin te FCSB, ndërsa paraqitja e tij e fundit dhe goli ndaj Petrolulit kanë bërë që kosovari të marrë edhe vlerësime të shumta në Rumani.

Korenica, i cili iu bashkua FCSB-së gjatë afatit kalimtar të fundit pas largimit nga CFR Cluj, ishte kërkuar edhe nga Universitatea Craiova. Megjithatë, 29-vjeçari zgjodhi klubin nga Bukureshti dhe tashmë ka nisur të lërë gjurmë te skuadra kampione e Rumanisë.

Zyrtari i FCSB-së, Mihai Stoica, foli për transferimin e Korenicës dhe tregoi se pse beson se kosovari zgjodhi klubin e tij në vend të Craiovës.

“Korenica është një lojtar shumë i mirë. Që kur e pashë te CFR Cluj, më është dukur shumë i mirë. Ai dhe Emerllahu më janë dukur lojtarët më të mirë. Për nga profili, ai më ngjan me Cisottin. Vitin e kaluar ishte shumë e vështirë ta blije nga CFR Cluj”, deklaroi Stoica.

Ai më pas foli edhe për konkurrencën me Universitatea Craiova.

“Këtë herë shfrytëzuam edhe problemet që ishin atje. Është pak më e vështirë për një lojtar, nëse duhet të zgjedhë mes nesh dhe Craiovës, që të zgjedhë Craiovën. Ata e donin edhe Korenicën, por duket se ai e donte FCSB-në”, shtoi zyrtari rumun.

Stoica e vlerësoi lart edhe përshtatjen e Korenicës me skuadrën e re.

“Është e qartë se ai është një lojtar i mirë dhe mendoj se ndihet mirë. Ai ka luajtur kudo dhe do të luajë edhe për ne. Le të jetë i shëndetshëm”, u shpreh ai.

Korenica shënoi golin e parë të FCSB-së në barazimin 2-2 ndaj Petrolulit, por rrjeta e tij nuk mjaftoi për t’i siguruar tri pikët skuadrës së Bukureshtit.

Pas ndeshjes, futbollisti i Kosovës tha se FCSB-ja meritonte më shumë se një pikë.

“Mendoj se nuk është e mjaftueshme, meritonim më shumë se një barazim. Duhet të jemi më agresivë në të ardhmen dhe të arrijmë më shumë. Patëm shumë raste, por ky është futbolli. Shpresoj që të jemi më të përgatitur për ndeshjen e ardhshme”, deklaroi Korenica.

Duke folur për rastin e tij, ai pranoi se kishte një synim të qartë.

“Duhej të shënoja, duhej ta kaloja portierin, por ajo që kisha në mendje ishte të shënoja. Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje dhe të jemi gati për ndeshjen tjetër”.

Korenica ka folur me entuziazëm edhe për ambientin e ri, duke theksuar se ndihet mirë te FCSB.

“Kemi cilësi në ekip, është shumë mirë këtu dhe ndihem shumë mirë. Dua të jap 100 për qind në çdo ndeshje”, përfundoi lojtari i Kosovës.

Edhe pronari i FCSB-së, Gigi Becali, e ka vlerësuar paraqitjen e Korenicës pas ndeshjes me Petrolulin, duke theksuar se pret rritje të tij dhe të disa lojtarëve të tjerë.

“Është mirë që mund të shohim rritje, që mund të shohim Muharin dhe Korenicën, dy lojtarë që do të jenë titullarë”, deklaroi Becali. /Telegrafi/