Dylan është rikthyer në skenën e “Kënga Magjike” në edicionin e vitit 2026, ku këtë herë prezantohet me këngën “Zërat”, një projekt i shkruar dhe kompozuar nga vetë artisti, ndërsa produksioni i është besuar Jeris Kasos.
Rikthimi i Dylanit në këtë festival vjen pas pjesëmarrjes së tij në “Kënga Magjike” në vitin 2024, kur garoi me këngën “Froni”. Muzika e këtij projekti u realizua nga Dylan dhe Jeris Kaso, ndërsa edhe teksti ishte bashkëpunim mes tyre, me produksion nga Kaso.
Por karriera e Dylanit në muzikë ka nisur shumë më herët. Ai është marrë me muzikë që nga mosha dy vjeç e gjysmë, ndërsa daljen e parë në një festival e pati në “Çelësi i Artë”, ku u vlerësua me çmimin e publikut.

Nga mosha katër deri në 12 vjeç, Dylan ishte pjesëmarrës në festivale të fëmijëve në Shkodër, Tiranë dhe Shkup, duke fituar ndër vite edhe një sërë çmimesh të para.
Një prej momenteve të veçanta në fillimet e karrierës së tij ishte 22 prilli i vitit 2011, kur, në moshën vetëm 13-vjeçare, mbajti një koncert recital në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku interpretoi këngët e artistes së njohur shqiptare, Vaçe Zelës.
Në vitin 2015, Dilan Reka ishte finalist i edicionit të katërt të “X Factor Albania”, duke u bërë kështu një prej emrave të rinj që tërhoqën vëmendjen e publikut përmes këtij formati muzikor.
Një vit më vonë, në 2016, ai publikoi këngën “Naked”, një projekt në gjuhën angleze me ritme Electronic Dance. Muzika dhe orkestrimi i këngës u realizuan nga producenti maqedonas Darko Dimitrov.
Po atë vit, në dhjetor, Dilan Reka mori pjesë në Festivalin e 55-të të Këngës në RTSH me këngën “Mos Harro”, me të cilën arriti deri në tre vendet e para. Kënga mori gjithashtu vëmendje të madhe nga fansat evropianë dhe u komentua për stilin e saj ndryshe dhe ritmet latine.
Pas disa vitesh në skenën muzikore, në vitin 2022 Dylan solli projektin “So Tu Ma”, të cilin e kishte shkruar dhe kompozuar vetë.
Rrugëtimi i tij vazhdoi edhe në “Kënga Magjike”, ku në vitin 2024 u prezantua me “Froni”, ndërsa dy vjet më vonë rikthehet sërish në këtë skenë me “Zërat”.
Kënga e re përfaqëson një tjetër hap në rrugëtimin e tij artistik, këtë herë me Dylanin në rolin e autorit të muzikës dhe tekstit, ndërsa produksioni i është besuar Jeris Kasos. /Telegrafi/





