Nëna e tronditur nga ajo që Meta AI gjeti për fëmijët e saj

Life/Bizare

Kalie Robins nga Utah thotë se mjeti i inteligjencës artificiale të Metës filloi t’i bënte pyetje shqetësuese për fëmijët e saj dhe më pas në internet gjeti edhe një fotografi të vjetër familjare, të cilën ajo thotë se e kishte fshirë prej kohësh. Gjithçka nisi pasi më 1 shtator ajo publikoi në Instagram një video […]

Madhësia e shkronjave

Kalie Robins nga Utah thotë se mjeti i inteligjencës artificiale të Metës filloi t’i bënte pyetje shqetësuese për fëmijët e saj dhe më pas në internet gjeti edhe një fotografi të vjetër familjare, të cilën ajo thotë se e kishte fshirë prej kohësh. Gjithçka nisi pasi më 1 shtator ajo publikoi në Instagram një video duke kënduar me vajzën e saj.

Të nesërmen, ajo mori një njoftim nga Meta lidhur me të drejtat e autorit dhe më pas mjeti i inteligjencës artificiale në platformë i sugjeroi pyetjen: “Kush është fëmija në ulësen e pasagjerit?”

Robins reagoi ashpër ndaj këtij sugjerimi. Ajo tha se pyetja e befasoi aq shumë, sa vendosi të klikonte mbi të. Më pas, sipas saj, inteligjenca artificiale gjeti në internet të dhëna për të dyja vajzat e saj, përfshirë edhe vajzën që nuk shfaqej fare në video.

Sipas Robins, sistemi nxori të dhëna të veçanta për secilin fëmijë, përfshirë emrat, të dhënat e lindjes, fotografi dhe video. Mes rezultateve kishte edhe materiale nga profile të përdoruesve të ndryshëm. Madje, AI gjeti fotografi të vajzës së saj kur ishte foshnjë, të publikuara në profilin e gjyshes së saj.

Më pas u shfaq një tjetër pyetje e sugjeruar “Ku jeton Kalie Robins?”. Ajo tha se ishte e shqetësuar nga mënyra se si sistemi kishte lidhur të dhënat e saj me informacione të tjera të jetës së saj.

Pas kësaj, Robins u kërkoi familjarëve dhe miqve të fshinin nga profilet e tyre të gjitha fotografitë ku fëmijët e saj mund të identifikoheshin. Ajo tha se do të hiqte nga interneti edhe fotografitë që kishte publikuar vetë.

“Ruajini ato kujtime të çmuara, por më pas hiqini fëmijët e mi nga profilet tuaja. Nëse unë i heq të gjitha nga profili im, ndërsa ju ende i keni në tuajin, AI do të shkojë në profilin tuaj. E kam parë vetë, tashmë e ka bërë këtë”, paralajmëroi ajo.

Meta reagoi ndaj rastit dhe pranoi se sistemi nuk duhej t’i kishte sugjeruar pyetje të tilla. Kompania tha se përgjigjet e Meta AI bazohen në informacionet në të cilat përdoruesi ka tashmë qasje, përfshirë përmbajtje publike dhe materiale nga miqtë apo familjarët që janë të qasshme për të.

Meta tha se problemi ishte zgjidhur, por nuk shpjegoi në detaje se çfarë ndryshimesh ishin bërë në sistem. Robins më pas kërkoi të dinte se cili mekanizëm sigurie kishte dështuar dhe çfarë masash mbrojtëse janë vendosur për rastet kur Meta AI përballet me të dhëna që lidhen me fëmijët. /Telegrafi/