Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një deklarate të publikuar në Facebook, Tërnava e ka cilësuar vendimin si të kontestueshëm dhe ka shprehur qëndrimin se ai është ndikuar politikisht.
“Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Tribunalit në Hagë është juridikisht i kontestueshëm, i ndikuar politikisht dhe, sipas vlerësimit tonë, në mospërputhje të plotë me standardet e një procesi të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë ligjërisht”, ka shkruar Tërnava.
Sipas tij, vendimi mund të ndikojë në mënyrën se si trajtohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ky vendim, vlerësojmë se rrezikon të shërbejë si një mjet për relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia në vendin tonë, krime këto që përbëjnë një kapitull të pashlyeshëm dhe të dokumentuar të historisë sonë të afërt”, thuhet në deklaratë.
Tërnava ka theksuar se, sipas tij, vendimi nuk mund të ndryshojë të drejtën për mbrojtjen e asaj që ai e cilëson si të vërtetë historike, si dhe dinjitetin e viktimave dhe sakrificën e luftës për liri e pavarësi.
“As vendimi i sotëm, e asnjë vendim tjetër në të ardhmen, nuk mund ta tjetërsojë të drejtën tonë legjitime për të mbrojtur të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave dhe epopenë e luftës sonë për liri dhe pavarësi, e as nuk mund ta zbehë sakrificën sublime të atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Myftiu i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin pas vendimit të sotëm.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë pjekuri qytetare dhe përgjegjësi të lartë, të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, të jenë pranë çlirimtarëve dhe në krah të vlerave të luftës, dhe të kontribuojnë në forcimin, konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Tërnava ka thënë se kërkesa për drejtësi dhe mbrojtjen e dinjitetit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sipas tij, do të vazhdojë edhe pas këtij vendimi.
“Beteja jonë për drejtësi dhe për mbrojtjen e dinjitetit dhe pafajësisë së çlirimtarëve tanë nuk përfundon këtu. Ne besojmë në pastërtinë e luftës sonë çlirimtare të prirë nga UÇK-ja, besojmë në kontributin dhe integritetin e prijësve dhe udhëheqësve të saj, si dhe në të drejtën e tyre për një proces gjyqësor të drejtë, objektiv, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta universale të drejtësisë”, ka shkruar Myftiu i Kosovës.
Deklaratën e tij, Tërnava e ka përmbyllur me urimin: “Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!”. /Telegrafi/





