Ora e parë mësimore në shkollat e Vushtrrisë dhe Drenasit sot do t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe historisë së luftës për çlirimin e Kosovës.
Drejtoria për Arsim e Komunës së Vushtrrisë ka njoftuar se në të gjitha shkollat e kësaj komune, ora e parë mësimore do të trajtojë tema që lidhen me luftën e UÇK-së, sakrificën e popullit dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sipas njoftimit, përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të temave duhet të përshtaten me moshën e nxënësve.
Edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Drenas ka bërë të ditur se ora e parë mësimore në institucionet arsimore do t’i kushtohet UÇK-së dhe historisë së luftës për çlirimin e Kosovës
Sipas Komunës së Drenasit, aktiviteti synon edukimin e nxënësve dhe ruajtjen e kujtesës historike, ndërsa mësimdhënësit janë ftuar që orën ta zhvillojnë në mënyrë të përshtatshme për moshën e nxënësve. /Telegrafi/





