Luis De La Fuente është shumë pranë rinovimit të kontratës me Spanjën, marrëveshje e cila pritet ta mbajë në krye të Kombëtares deri në vitin 2030. Sipas raportimeve, kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla financiare për t’u zgjidhur.
Sipas The Athletic, negociatat mes Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) dhe agjentit me bazë në Spanjë, Alvaro Torres, nga agjencia amerikane Gers, kanë zgjatur rreth dy muaj dhe tashmë janë në fazat përfundimtare.
Trajneri 65-vjeçar ka kontratë me Spanjën deri në përfundimin e Euro 2028, por marrëveshja e re do ta zgjaste bashkëpunimin deri në Kupën e Botës 2030.
De La Fuente pritet të përfitojë nga 4 deri në 5 milionë euro në sezon, pagë që do ta vendoste atë mes pesë trajnerëve më të paguar të Kombëtareve në botë.
Që prej marrjes së drejtimit të Spanjës në dhjetor të vitit 2022, De la Fuente ka pasur një periudhë jashtëzakonisht të suksesshme. Ai e udhëhoqi “La Roja” drejt triumfit në Ligën e Kombeve në vitin 2023, titullit të Evropianit në vitin 2024 dhe, së fundmi, triumfit në Kupën e Botës 2026.
Ky sukses i fundit e kompletoi një seri të jashtëzakonshme trofesh për De la Fuente dhe e bëri Spanjën kombëtaren e parë që në të njëjtën kohë mban titullin e kampionit të botës si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, ndërsa është edhe kampione në fuqi e Evropës.
Rinovimi do t’i mundësonte Spanjës të vazhdonte me të njëjtin staf dhe projekt deri në Kupën e Botës 2030, të cilën vendi do ta bashkëorganizojë së bashku me Portugalinë dhe Marokun. Edhe stafi i De La Fuentes pritet të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares deri në vitin 2030.
Para se të merrte drejtimin e ekipit të parë, De la Fuente kishte kaluar nëntë vjet duke punuar me grupmoshat e Spanjës. Gjatë asaj periudhe, ai fitoi Kampionatin Evropian U19 në vitin 2015 dhe Kampionatin Evropian U21 në vitin 2019, ndërsa në vitin 2021 e udhëhoqi Spanjën drejt medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike të Tokios.
Sfida e radhës për De La Fuentes me Kombëtaren spanjolle do të jetë më 26 shtator, kur Spanja do të përballet me Anglinë në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve./Telegrafi/






