Është ndarë nga jeta ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.
Lajmin e ka bërë të ditur familja e saj përmes një njoftimi të publikuar në Facebook nga Ylli Begu.
“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, se u nda nga jeta më e dashura jonë, DR. FLORA BROVINA”, thuhet në njoftimin e familjes.
Brovina ishte e burgosur politike, veterane të luftës së UÇK-së, deputete dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“Flora jetoi një jetë të mbushur me dashuri për familjen, për njeriun dhe për atdheun. Si mjeke u shërbeu njerëzve me përkushtim e dhembshuri; si poete na la fjalën dhe shpirtin e saj; ndërsa me veprën, qëndresën dhe humanizmin e saj la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të shqiptarisë”, thuhet më tej në njoftim.
Flora Brovina u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor dhe më pas studioi mjekësinë.
Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo u kthye në Kosovë. Për një periudhë punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më pas iu rikthye profesionit të mjekes.
Brovina punoi për shumë vite në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, ndërsa krahas profesionit të saj u angazhua edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.
Në skenën politike, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri më 2019.
Familja, në njoftimin për vdekjen e saj, ka theksuar se përtej kontributit publik, Brovina ishte një figurë e rëndësishme e familjes.
“Për ne, përtej veprës dhe kontributit të saj publik, ajo ishte nëna dhe gjyshja jonë e dashur, motra dhe zemra e familjes sonë”, thuhet në njoftim.
Familja Begu & Brovina ka bërë të ditur se detajet për ceremoninë e varrimit dhe pritjen për ngushëllime do të njoftohen me kohë.
“Do ta kujtojmë me mall, dashuri dhe mirënjohje të përjetshme. U prehtë në paqe”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/





