Të paprekshmit e Jose Mourinhos te Real Madridi

Sport

Vetëm pesë futbollistë të ekipit të parë të Real Madridit kanë qenë titullarë në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani në La Liga. Ky grup duket se përbën shtyllën kryesore mbi të cilën Jose Mourinho po ndërton projektin e tij të ri në kryeqytetin spanjoll. Dalëngadalë, Real Madridi i ri po merr formë, […]

Madhësia e shkronjave

Vetëm pesë futbollistë të ekipit të parë të Real Madridit kanë qenë titullarë në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani në La Liga. Ky grup duket se përbën shtyllën kryesore mbi të cilën Jose Mourinho po ndërton projektin e tij të ri në kryeqytetin spanjoll.

Dalëngadalë, Real Madridi i ri po merr formë, edhe pse është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare, tashmë mund të dallohen qartë lojtarët që po mbajnë peshën kryesore të projektit të drejtuar nga Jose Mourinho, të paktën deri në momentin kur përforcimet e reja të përshtaten plotësisht me skuadrën.

Sipas raportimit të Marcas, janë pesë futbollistë që deri më tani kanë startuar në të gjitha gjashtë ndeshjet zyrtare të Real Madridit.

Në mesin e tyre është edhe portieri belg Thibaut Courtois, i cili, pavarësisht se po i afrohet moshës 35-vjeçare, vazhdon të paraqitet në një nivel mjaft të lartë.

Në fakt, deri në këtë pikë, Mourinho nuk duket se ka ndonjë alternativë për t’i dhënë pushim portierit belg, pasi Courtois mbetet një prej pikave më të sigurta të formacionit të tij.

Krahas Courtois janë edhe tre prej futbollistëve që mbajnë peshën kryesore të repartit ofensiv të Real Madridit: francezi Kylian Mbappe, anglezi Jude Bellingham dhe braziliani Vinicius Junior.

Dy të parët kanë nisur sezonin në formë të shkëlqyer. Mbappe ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar një asistim, ndërsa Bellingham ka kontribuar me tre gola dhe tri asistime.

Ndërkohë, Vinicius ende po punon për të rikthyer formën dhe vetëbesimin e tij më të mirë. Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe vërshëllimave nga tifozët, Mourinho duket i vendosur të vazhdojë t’i besojë sulmuesit brazilian.

Pesëshen e plotë e mbyll Federico Valverde, një tjetër lojtar që e përfundoi sezonin 2025/26 nën një re të madhe dyshimesh.

Mesfushori uruguaian ishte prekur ndjeshëm nga përplasja me Aurelien Tchouamenin, situatë që kishte ndikuar në pozitën e tij brenda skuadrës.

Megjithatë, Mourinho ka arritur ta largojë atë hije dhe t’i rikthejë Valverdes rëndësinë e tij në formacion.

Fakti që uruguaiani ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet e deritanishme tregon qartë se ai vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të besuar të trajnerit portugez.

Kështu, Courtois, Mbappe, Bellingham, Vinicius dhe Valverde duket se përbëjnë boshtin e parë të Real Madridit të Mourinhos – pesë lojtarë që, të paktën në këtë fazë të sezonit, trajneri portugez i konsideron të paprekshëm. /Telegrafi/