Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë në prag të 16 shtatorit, datë kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Policisë, masat kanë për qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve që mund të zhvillohen në këtë ditë.
“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka bërë të ditur se në kuadër të përgatitjeve janë zhvilluar takime koordinuese me drejtues të departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator”, thuhet në komunikatë.
Në këto takime, sipas Policisë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it, Ambasadës Amerikane, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe OSBE-së.
PK-ja ka theksuar se do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, ndërsa njësitë policore do të angazhohen në terren në varësi të zhvillimeve dhe aktiviteteve që mund të organizohen.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia ka paralajmëruar se në varësi të aktiviteteve mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku mund të zhvillohen tubime apo aktivitete.
Për këtë arsye, sipas PK-së, janë planifikuar edhe angazhime të njësive të trafikut, të cilat do të bëjnë riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative në rast nevoje.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitetet e mundshme që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe të sigurt.
“Planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme”, ka theksuar Policia.
Në fund, PK-ja ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e tyre dhe mbarëvajtja e aktiviteteve mbeten prioritete të saj.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/





