Barcelona po përgatit një lëvizje të bujshme për afatin kalimtar të janarit, pasi gjiganti katalunas raportohet se është gati t’i ofrojë Atletico Madridit Gavin dhe mbi 80 milionë euro për të transferuar Julian Alvarezin.
Klubi katalunas kishte tentuar ta siguronte sulmuesin argjentinas gjatë afatit kalimtar të verës, por Atletico Madridi refuzoi të negocionte për largimin e tij para mbylljes së merkatos.
Tani, sipas El Nacional, Barcelona mund të rikthehet me një ofertë spektakolare në janar, ku pjesë e marrëveshjes do të ishte edhe Gavi.
Kjo lëvizje vjen pavarësisht faktit se Barcelona e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin 2026/27. Skuadra e Hansi Flick ka fituar pesë ndeshjet e para në të gjitha garat dhe ka shënuar 22 gola, përfshirë fitoren 5-1 ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve.

Gjatë verës, Barcelona ndryshoi ndjeshëm sulmin pas largimeve të Robert Lewandowskit dhe Ferran Torresit, duke transferuar Anthony Gordon, Karim Adeyemin dhe Gabriel Jesusin. Ndërkohë, Rodri iu bashkua skuadrës për ta përforcuar mesfushën pas largimit nga Manchester City.
Por Julian Alvarez vazhdon të jetë objektiv i rëndësishëm i klubit. Argjentinasi kishte kërkuar largimin nga Atletico Madridi gjatë verës, por drejtuesit e klubit spanjoll nuk pranuan të hapnin negociata për shitjen e tij.
Alvarez qëndroi në Madrid dhe tashmë është rikthyer në formacionin e Diego Simeones, madje duke startuar edhe ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, e ardhmja e tij vazhdon të jetë në qendër të spekulimeve, sidomos tani që po afrohet afati kalimtar i janarit.
Sipas raportimit, disa figura brenda Barcelonës po shqyrtojnë mundësinë që Gavi të përdoret si pjesë e marrëveshjes për transferimin e 26-vjeçarit, pasi Atletico Madridi kishte shfaqur interesim për mesfushorin gjatë verës.
Por ekziston një problem i madh. Gavi nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, pavarësisht se ka pasur minuta të kufizuara në fillim të këtij sezoni.
Alvarez, ndërkohë, ka kontratë me Atletico Madridin deri në qershor të vitit 2030, çka e vendos klubin madrilen në një pozitë të fortë negociuese.
Barcelona pritet ta rikthejë interesimin për të në janar, por për ta bindur Atletico Madridin do të nevojitet një ofertë shumë më e madhe sesa ajo që u refuzua gjatë verës.
Dhe nëse katalunasit janë vërtet të gatshëm të ofrojnë Gavin dhe mbi 80 milionë euro, atëherë transferimi i Julian Alvarezit mund të shndërrohet në një nga lëvizjet më spektakolare të afatit kalimtar të janarit./Telegrafi/





