Të mbushura me perime dhe djathë, mbulohen me vezë dhe marrin një kore të artë që i bën edhe më të shijshme
Këto krepa fillimisht piqen në tigan, si zakonisht, më pas mbushen me spinaq, kërpudha dhe djathë feta, rrotullohen dhe vendosen në furrë. Sipër u hidhen vezë të rrahura dhe pak feta, ndërsa pjekja e dytë u jep butësi brenda dhe një kore të artë në sipërfaqe.
Nëse ju pëlqejnë vaktet e lehta, kremoze dhe plot shije, kjo recetë është një zgjedhje shumë e mirë. Krepat e hollë, të mbushur me perime dhe djathë, mund të shërbehen për mëngjes, drekë ose darkë të lehtë, transmeton Telegrafi.
Në një enë hidhni miellin dhe kripën dhe përziejini. Shtoni vezën e rrahur, pastaj hidhni gradualisht qumështin duke përzier vazhdimisht.
Përziejeni derisa të fitoni një masë të lëmuar, pa kokrriza. Masa duhet të jetë mjaft e hollë. Nëse është e nevojshme, mund të përdorni mikser elektrik.
Nxehni një tigan që nuk ngjit në temperaturë mesatare dhe lyeni lehtë me vaj ose gjalpë të shkrirë.
Hidhni rreth gjysmë filxhani masë, ose pak më pak nëse tigani është më i vogël. Piqeni krepin rreth një minutë në secilën anë, derisa pjesa e poshtme të marrë ngjyrë të artë dhe sipërfaqja të mos jetë më e lëngshme.
Ngrohni një lugë vaj ulliri në tigan. Shtoni kërpudhat e prera dhe spinaqin e copëtuar dhe kaurdisini për 4–5 minuta në temperaturë mesatare.
Rregullojini me kripë, piper dhe pak qepë pluhur. Përziejini dhe largojini nga zjarri kur perimet të zbuten.
Ndajeni mbushjen në katër pjesë të barabarta.
Këshillë: Nëse dëshironi një mbushje edhe më kremoze, mund të shtoni një lugë krem djathi ose jogurt grek.
Në mes të secilit krep vendosni një pjesë të mbushjes dhe shtoni pak djathë feta. Rrotullojini krepat dhe renditini në një enë të lyer me yndyrë, të përshtatshme për furrë.
Rrihni dy vezët dhe hidhini në mënyrë të njëtrajtshme mbi krepa. Sipër shtoni fetën e mbetur dhe pak vaj ulliri.
Piqini rreth 20 minuta, derisa vezët të jenë pjekur plotësisht dhe sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë.
Nxirrini nga furra, spërkatini me majdanoz të tharë dhe lërini të pushojnë rreth 5 minuta para se t’i shërbeni. /Telegrafi/





