Charli XCX ka reaguar ndaj kritikave të shumta të fansave për numrin e kufizuar të datave të turneut të saj evropian dhe britanik, i planifikuar për vitin 2027.
Këngëtarja 34-vjeçare njoftoi se në shkurt do të nisë turneun “Muzikë, Modë, Film”, por programi përfshin vetëm gjashtë koncerte në arena.
Ajo do të performojë në Dublin, Glasgow, Mançester, Londër, Amsterdam dhe Paris, çka ka shkaktuar pakënaqësi te fansat në vende të tjera të Evropës.

Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale, Charli shpjegoi se turnetë janë shumë të vështira për të, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht, shkruan DailyMail.
“Përshëndetje të gjithëve. E di që ka shumë zhgënjim në komentet për faktin që nuk do të bëj shumë takime. Më vjen shumë keq nëse ndiheni të zhgënjyer, por duhet ta nderoj të vërtetën time si artiste: turnetë janë vërtet të vështira emocionalisht dhe fizikisht për mua”.
Ajo theksoi se nuk kërkon simpati dhe se respekton artistët që mund të përballojnë turne të gjata e intensive, por tha se vetë nuk është një prej tyre.
Sipas saj, kjo ishte edhe një nga arsyet pse zgjodhi një seri më të shkurtër koncertesh në Amerikën e Veriut.
Charli kërkoi ndjesë për fansat që janë ndier të zhgënjyer, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të jetë e gatshme për një turne më të madh.
Ndërkohë, fansat vazhduan të kërkojnë më shumë data në vende si Gjermania, Italia, Spanja, Zvicra dhe Polonia, duke ironizuar faktin se vetëm dy qytete kontinentale janë pjesë e itinerarit.
Në fund, Charli tha se shpreson që ata që do të marrin pjesë në koncertet e saj të argëtohen, ndërsa ajo vetë do të përpiqet ta përjetojë turneun me një mendësi të shëndetshme dhe pozitive. /Telegrafi/





