Ankthi është një reagim natyral i trupit ndaj stresit ose një situate që perceptohet si kërcënuese.
Të gjithë mund ta përjetojnë herë pas here, por kur reagimi i ankthit bëhet i shpeshtë ose i vazhdueshëm, ai mund të ndikojë në jetën e përditshme.
Ekspertët sugjerojnë disa mënyra që mund të ndihmojnë në menaxhimin e ankthit, si në momentet kur shfaqen simptomat, ashtu edhe në planin afatgjatë, shkruan Healthline.
Kur ankthi rritet, mendimet negative mund të ndikojnë në mënyrën se si e perceptoni një situatë. Përpiquni të ndaleni dhe të dalloni se çfarë është fakt dhe çfarë mund të jetë vetëm një supozim ose reagim emocional.

Ky proces mund t’ju ndihmojë të mos i merrni menjëherë mendimet shqetësuese si të vërteta.
Frymëmarrja e kontrolluar mund të ndihmojë në qetësimin e trupit kur shfaqen ndjenjat e ankthit.
Një teknikë e thjeshtë është të merrni frymë për katër sekonda dhe ta nxirrni frymën për katër sekonda, duke vazhduar për rreth pesë minuta. Ekzistojnë edhe teknika të tjera të frymëmarrjes, si metoda 4-7-8.
Disa studime sugjerojnë se aromaterapia mund të ketë efekt qetësues në rrethana të caktuara. Aroma si livandoja, kamomili dhe druri i sandalit përdoren shpesh për të krijuar një ndjesi relaksi.
Megjithatë, kjo nuk duhet të konsiderohet zëvendësim për trajtimin profesional te personat me ankth të rëndë.
Aktiviteti fizik mund të ndihmojë në menaxhimin e stresit dhe ankthit. Ecja e shpejtë, joga dhe tai chi janë disa alternativa me intensitet më të ulët.
Edhe pak minuta aktivitet mund të ndikojnë në humor. Për shembull, disa ushtrime të shkurtra si squats, pompa ose kërcime mund të ndihmojnë që vëmendja të largohet për pak nga mendimet shqetësuese.
Teknikat e “grounding” mund t’ju ndihmojnë të përqendroheni te shqisat dhe te momenti i tanishëm, në vend që të përfshiheni nga mendimet shqetësuese.
Një shembull është rregulli 3-3-3: identifikoni tri gjëra që shihni, tri tinguj që dëgjoni dhe tri gjëra që mund t’i prekni.
Shkaktarët ndryshojnë nga një person te tjetri. Mund të jenë presioni në punë, konfliktet në marrëdhënie, kafeina, disa medikamente, përvojat e vështira të së kaluarës ose shqetësime të tjera shëndetësore.
Identifikimi i situatave që e nxisin ankthin mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë reagimet tuaja dhe të gjeni mënyra për t’i menaxhuar.
Meditimi i përditshëm mund të ndihmojë në menaxhimin e mendimeve shqetësuese dhe në reagimin ndaj situatave stresuese.
Për personat që e kanë të vështirë të qëndrojnë ulur dhe të përqendrohen, mund të provohet meditimi gjatë ecjes, joga ose teknikat e imagjinimit të udhëhequr.
Shkrimi i mendimeve dhe emocioneve mund të ndihmojë në identifikimin e shkaktarëve të ankthit dhe në kuptimin e strategjive që funksionojnë më mirë për ju.
Një studim i vogël i vitit 2018 sugjeroi se shkrimi i rregullt për emocionet mund të ndihmojë në uljen e ankthit, depresionit dhe ndjenjës së shqetësimit.
Kalimi i kohës me njerëz të besuar mund të ndihmojë në menaxhimin e stresit dhe në uljen e ndjenjës së vetmisë.
Lidhjet sociale mund të ndihmojnë gjithashtu në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj stresit në planin afatgjatë.
Aktiviteti fizik nuk ka vetëm efekt të menjëhershëm. Ushtrimet e rregullta mund të ndikojnë pozitivisht edhe në gjumë, oreks, qartësinë mendore dhe mirëqenien e përgjithshme.
Studimet kanë treguar se aktiviteti fizik mund të ketë efekte afatgjata në menaxhimin e ankthit.
Nëse ankthi fillon të ndikojë në punë, shkollë, marrëdhënie ose në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor.
Në raste të tilla, trajtimi mund të ndihmojë në identifikimin e shkaqeve të ankthit dhe në ndërtimin e një plani të përshtatshëm për menaxhimin e tij. /Telegrafi/





