Borxhi i përgjithshëm i Barcelonës pritet të kalojë shifrën e 2 miliardë eurove deri në fund të vitit 2026, sipas një raportimi të ri nga “The Athletic”.
Llogaritë financiare të Barcelonës për sezonin 2025/26 tregojnë se klubi ka realizuar për herë të parë më shumë se 1 miliard euro të hyra gjatë një sezoni.
Megjithatë, pavarësisht këtij rekordi financiar, klubi katalunas nuk arriti të mbyllte sezonin me fitim, duke regjistruar humbje prej 17.8 milionë eurosh pas tatimeve.
Borxhi total financiar i Barcelonës arriti në 1.840 miliardë euro deri në fund të qershorit të vitit 2026. Pjesa dërrmuese e këtij borxhi lidhet drejtpërdrejt me projektin e rinovimit të “Spotify Camp Nou”, si pjesë e projektit Espai Barça.
Drejtuesit e klubit kanë pranuar se do të nevojiten edhe 300 milionë euro të tjera huamarrje për përfundimin e punimeve në stadium. Kjo e çon koston e projektit në 1.8 miliardë euro, rreth tri herë më shumë sesa shuma e parashikuar fillimisht kur projekti u miratua 12 vjet më parë.
Por borxhi i Barcelonës ka vazhduar të rritet edhe pas përfundimit të vitit financiar. Që nga fundi i qershorit, klubi ka emetuar edhe 105 milionë euro borxh përmes obligacioneve senior me afat 10-vjeçar.
Kjo e afron Barcelonën edhe më shumë me shifrën prej 2 miliardë eurosh, të cilën klubi pritet ta tejkalojë gjatë sezonit 2026/27. Situata është bërë edhe më shqetësuese për shkak të rritjes së kostove të interesit.
Pagesat e Barcelonës për interesa gjatë sezonit të kaluar kanë kaluar shifrën e 90 milionë eurove, duke shtuar edhe më shumë presion mbi financat e klubit.
Problemet më të mëdha shfaqen te detyrimet afatshkurtra. Detyrimet e Barcelonës që duhet të paguhen gjatë sezonit 2026/27 arrijnë në 905 milionë euro, ndërsa asetet afatshkurtra të klubit janë vetëm 529 milionë euro.
Kjo krijon një kapital qarkullues negativ prej 376 milionë eurosh. Edhe pse treguesit bazë të përfitueshmërisë kanë shënuar përmirësim dhe të hyrat e klubit vazhdojnë të rriten, shifrat tregojnë se Barcelona ende përballet me sfida të mëdha financiare.
Rritja e borxhit, kostot e larta të interesit dhe vonesat në projektin e stadiumit kanë krijuar një situatë ku drejtuesit e klubit do të duhet të fokusohen fuqishëm në rifinancimin e shumave të mëdha.
Barcelona duhet të gjejë zgjidhje për këto detyrime përpara afateve të ardhshme të pagesave, në mënyrë që të shmangë presionin edhe më të madh financiar në vitet e ardhshme./Telegrafi/






