Rama zyrtarizon largimin e Lamallarit, poston video me Demon dhe ish-Ministrin: Po bëjmë lëvizje në skuadër, Besforti do punojë me mua

Nacionale

Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, me Besfort Lamallarin që largohet nga posti i ministrit dhe Ervin Demo që merr drejtimin e dikasterit. Në një takim të zhvilluar në Kryeministri, Rama tha se ndryshimi është pjesë e një riorganizimi të skuadrës qeverisëse. Sipas tij, Lamallari do të vijojë angazhimin […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, me Besfort Lamallarin që largohet nga posti i ministrit dhe Ervin Demo që merr drejtimin e dikasterit.

Në një takim të zhvilluar në Kryeministri, Rama tha se ndryshimi është pjesë e një riorganizimi të skuadrës qeverisëse. Sipas tij, Lamallari do të vijojë angazhimin në Kryeministri, ndërsa Demo, ministri i deritanishëm për Pushtetin Vendor, do të marrë përgjegjësinë për Ministrinë e Brendshme, raporton euronews.al

“Kemi vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë”, u shpreh Rama, duke e cilësuar Lamallarin si një figurë me integritet dhe me eksperiencë të vlefshme për vijimin e punës në Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi punën e Lamallarit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa tha se eksperienca e tij do të jetë e rëndësishme në funksionet e reja.

“Ai e ka bërë punën me të gjithë integritetin që e karakterizon”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, Besfort Lamallari falënderoi kryeministrin për besimin dhe mundësitë e dhëna gjatë angazhimit të tij në qeveri. Ai tha se përvoja në detyrat e mbajtura e ka ndihmuar të rritet profesionalisht dhe njerëzisht.

“Është kënaqësi të vazhdoj kontributin dhe të jem pranë jush për të gjitha punët e mira që po bëhen për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Lamallari.

Ndërkohë, ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, falënderoi Ramën për besimin dhe tha se do të vijojë bashkëpunimin me Lamallarin në funksionin e tij të ri.

Demo theksoi se një nga prioritetet do të jetë forcimi i marrëdhënies me komunitetet dhe rritja e besimit të qytetarëve te institucionet.

“Ministria e Brendshme ka një rol shumë të rëndësishëm dhe do të jemi tërësisht të fokusuar për ta çuar përpara”, tha Demo.

Ndryshimi vjen në kuadër të riorganizimit të përgjegjësive qeveritare, ndërsa Rama uroi dy zyrtarët për detyrat e reja.