PDK lëshon sallën, nuk kalon kandidatja për nënkryetare Vlora Çitaku

Nacionale

Kuvendi i Kosovës nisi votimin veç e veç për kandidatët për nënkryetarë, pas debatit mes grupeve parlamentare lidhur me mënyrën e votimit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi në votim propozimin që kandidatët për nënkryetarë të votohen individualisht. Propozimi u miratua me 71 vota për, 10 kundër dhe një abstenim. Pas kësaj, kandidati i […]

Madhësia e shkronjave

Kuvendi i Kosovës nisi votimin veç e veç për kandidatët për nënkryetarë, pas debatit mes grupeve parlamentare lidhur me mënyrën e votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi në votim propozimin që kandidatët për nënkryetarë të votohen individualisht.

Propozimi u miratua me 71 vota për, 10 kundër dhe një abstenim.

Pas kësaj, kandidati i parë i Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit, Ardian Gola, mori 101 vota për dhe një abstenim.

Megjithatë, situata ndryshoi gjatë votimit të kandidates së PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit.

Pas këtij zhvillimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit.

Megjithatë, para votimit pati përplasje mes deputetëve lidhur me mënyrën se si duhej të votohej për nënkryetarët.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se pas konsultimeve me përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk kishte dakordim për votimin në pako dhe se për këtë arsye duhej të votohej për secilin kandidat veç e veç.

“Kisha një konsultim të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe nuk ka dakordim për votim në pako të nënkryetarëve. Atëherë forma është votim veç e veç të kandidatëve për nënkryetar”, tha Haxhiu.

Edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se LVV-ja është e gatshme që votimi të bëhet individualisht.

“LVV është e gatshme të vazhdohet me votim veç e veç. Meqë s’kemi dakordim nga deputetët për pako, vazhdojmë propozimin një nga një”, u shpreh Nagavci.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se praktika parlamentare parashikon votimin në pako.

“Ajo që tha Haxhiu nuk është e vërtetë në aktgjykimin e Kushtetueses, pasi duhet të vazhdohet praktika parlamentare. Pra, votim në pako. Por, për me u ndërru praktika e votës parlamentare duhet konsensus, e konsensus nuk ka. Nëse doni me e ndërru formën si mjet bllokade, ne nuk e pranojmë. Nëse doni me konstitu Kuvendin, dil e thoni dhe ne vazhdojmë”, tha Gruda.

Haxhiu më pas iu përgjigj Grudës duke thënë se qëndrimi i PDK-së kishte ndryshuar.

“Ky është qëndrim i ri pra. E rëndësishme është që të mbahet fjala, sepse asnjë minutë nuk shkoj dhe e ndryshuat qëndrimin”, tha Haxhiu.

Edhe deputetja e LDK-së, Jeta Lushaku, tha se grupet parlamentare ishin pajtuar që mënyra e votimit të përcaktohej në seancë.

“Jemi dakorduar që në seancë ta vendosim mënyrën e votimit. Jemi në përkrahje të votimit veç e veç”, deklaroi Lushaku.

Nga komuniteti serb, Igor Simiq tha se mënyra e votimit duhej të mundësonte konstituimin e të gjitha organeve të Kuvendit.

“Mënyra e votimit është bërë në atë mënyrë që të konstituohen të gjitha organet e Kuvendit, por dikush do me u largu nga përgjegjësia. Jemi këtu për të votuar individualisht apo në paketë dhe do të votojmë”, tha Simiq.

Pas debatit, Haxhiu hodhi në votim propozimin që nënkryetarët të votoheshin veç e veç. Ky propozim u miratua me 71 vota për, 10 kundër dhe një abstenim.

Më pas, deputetët votuan kandidatët për nënkryetarë dhe Kuvendi u konstituua me përzgjedhjen e tyre.

Ndryshe, në fillim të seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përkujtoi viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/