Baton Zabërgja po vazhdon me formën e mirë në elitën e futbollit ukrainas, duke qenë sërish protagonist në fitoren e Kharkiv.
Kharkiv triumfoi me rezultat të thellë 5-0 ndaj Obolon, në një ndeshje ku Zabërgja ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dy gola.
25-vjeçari dhuroi asistimin për golin e parë në minutën e 8-të, ndërsa vetëm shtatë minuta më vonë, në minutën e 15-të, gjeti edhe golin e tij.
Reprezentuesi i Kosovës u aktivizua për 59 minuta në këtë sfidë, duke vazhduar paraqitjet e mira në kampionatin ukrainas.
Pas kësaj fitoreje, Kharkiv renditet në vendin e katërt me nëntë pikë, ndërsa Zabërgja me tri gola të shënuara dhe një asistim është aktualisht i treti në listën e golashënuesve të elitës së futbollit ukrainas.
Forma e tij në javët e para të sezonit po e bën Zabërgjen një prej futbollistëve më të spikatur në kampionatin ukrainas, ndërsa ky është lajm i mirë edhe për Franco Fodan pasi ndeshjet e shtatorit janë afruar. /Telegrafi/






