Dukagjini ka vazhduar serinë pozitive në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Llapin me rezultat 2-1 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ndeshja e zhvilluar të shtunën i takoi xhiros së katërt të kampionatit, ndërsa për Dukagjinin kjo ishte fitorja e dytë e sezonit, krahas dy barazimeve.

Skuadra nga Klina e nisi mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 16-të, kur Dienit Isufi realizoi për 1-0.
Llapi reagoi dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 32-të. Arbnor Ramadani ishte i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar ndeshjen në baraspeshë.
Megjithatë, Dukagjini e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 54-t gjeti golin e fitores. Egzon Sinani realizoi për 2-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.
Kjo ishte humbja e katërt radhazi për Llapin, i cili në tri ndeshjet e mëparshme ishte mposhtur nga Drita, Gjilani dhe Prishtina.
Pas katër xhirove, Dukagjini ka grumbulluar 8 pikë, ndërsa Llapi mbetet pa pikë në tabelën e Superligës së Kosovës. /Telegrafi/





