Kontrolli i syve shpesh lidhet vetëm me matjen e dioptrisë apo nevojën për syze, por sipas kirurgut vitreoretinal Muhamet Zekolli, një vizitë oftalmologjike nuk mund të konsiderohet e plotë nëse nuk përfshin edhe ekzaminimin e retinës.
Për këtë temë, Zekolli ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë” i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit Kubati dhe United Hospital.
Zekolli foli për sëmundjet e retinës dhe trupit qelqor, rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe shenjat që nuk duhet të neglizhohen.
Duke folur për kontrollin e syve, Zekolli theksoi se vizita te oftalmologu duhet të përfshijë jo vetëm pjesën e përparme të syrit, por edhe segmentin e pasëm, ku ndodhet retina.

“Si rregull, nuk quhet vizitë oftalmologjike komplete nëse nuk është ekzaminuar segmenti i pasëm”, tha ai.
Sipas tij, kontrolli i pjesës së pasme të syrit është i rëndësishëm sepse aty mund të zbulohen herët probleme të retinës, të cilat në fazat fillestare mund të mos japin simptoma të dukshme.
Zekolli shpjegoi se gjatë një vizite të plotë duhet të përshkruhet dhe kontrollohet segmenti i përparmë i syrit, por po ashtu duhet të ekzaminohet edhe segmenti i pasëm.
“Duhet të përshkruhet komplet segmenti i përparmë, duhet të ekzaminohet segmenti i pasëm”, u shpreh ai.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme te pacientët që mund të kenë probleme të retinës, qoftë nga sëmundje sistemike si diabeti, tensioni i lartë, apo edhe nga faktorë gjenetikë.
I pyetur nëse problemet e retinës mund të jenë të trashëguara, Zekolli tha se ato mund të kenë edhe bazë gjenetike.
Për më shumë shikoni podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
#86: Shëndeti në rend të parë – Muhamet Zekolli, kirurg vitreoretinal www.youtube.com





