Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Nënë Terezën në 29-vjetorin e vdekjes së saj, duke vlerësuar kontributin e saj për njerëzimin, paqen dhe bamirësinë.
Kurti ka bërë të ditur se në këtë përvjetor është promovuar vepra “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, e autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj.

Sipas Kurtit, edhe tri dekada pas vdekjes së saj, jeta dhe vepra e Nënë Terezës vazhdojnë të ofrojnë mësime për njerëzoren, dashurinë, paqen dhe solidaritetin.
“Shën Nënë Tereza ishte një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, që ia kushtoi jetën njerëzimit dhe u bë simbol universal i humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se vepra e promovuar sjell dëshmi, dokumente, letra dhe fotografi që pasqyrojnë rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut nga familja shqiptare në Shkup, me prindër nga Prizreni dhe Gjakova, deri në shndërrimin e saj në një figurë universale.
“Siç e kam theksuar edhe në parathënie: ajo u shndërrua në urë, jo në mur”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka falënderuar autorët e veprës për kontributin në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës për jetën e Nënë Terezës, të cilën e ka cilësuar si një prej figurave më të ndritshme që shqiptaria i ka dhuruar botës./Telegrafi/





