Pamjet nga prapaskenat e Manchester Cityt kanë zbuluar dyshimet që drejtuesit e klubit kishin për mentalitetin e Rayan Cherkit, përpara se të vendosnin ta transferonin francezin nga Lyoni.
Cherki iu bashkua Cityt në qershorin e vitit të kaluar për rreth 39.7 milionë euro, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare. Megjithatë, pavarësisht talentit të tij, drejtuesit e klubit kishin pikëpyetje nëse ai ishte personi i duhur për projektin e tyre.
Në dokumentarin e ri me katër pjesë të Amazon Prime Video, A Beautiful Obsession, drejtori i futbollit Hugo Viana shihet duke diskutuar për Cherkin me anëtarë të tjerë të klubit.
Gjatë analizës së lojtarit, një prej anëtarëve të stafit të rekrutimit shpjegon se të dhënat e tyre e vendosnin Cherkin shumë pranë profilit të Kevin De Bruynes.
“Ai mund të jetë profili i Kevinit pas dy vitesh. Por mentaliteti është…”, tha Viana. Ai pranoi se informacionet që kishin mbledhur për francezin nuk ishin shumë pozitive.
“Informacionet për Cherkin nuk ishin aq pozitive. Po flas shumë sinqerisht”, vazhdoi ai.
Edhe drejtori ekzekutiv Ferran Soriano e pranoi se cilësitë e Cherkit nuk viheshin në dyshim, por kishte shqetësime rreth sjelljes së tij.
“Të gjithë e dinin për aftësitë e tij, por ekzistonte ideja se ai ishte kaotik”, shtoi Soriano.
Megjithatë, drejtuesit e Cityt nisën të bindeshin se disa prej shqetësimeve mund të ishin të ekzagjeruara. Ata kontaktuan trajnerë që e kishin punuar me Cherkin dhe një raport negativ ishte dhënë kur ai ishte ende shumë i ri.
Kryetari i klubit, Khaldoon Al-Mubarak, kërkoi që situata të zgjidhej sa më shpejt, duke paralajmëruar se City mund ta humbiste mundësinë.
“Duhet të mendojmë si ta zgjidhim këtë, sepse është e qartë se ai po nënvlerësohet”, u shpreh Al-Mubarak.
Në fund, City zhvilloi bisedime me agjentin e Cherkit dhe, pavarësisht interesimit nga klube të tjera, francezi kishte një dëshirë të qartë, të fliste me Pep Guardiolën./Telegrafi/






