Angela Martini reagon pas kritikave: Nuk u konvertova në Jaudizëm, s’e kam shitur shpirtin

Magazina

Modelja e njohur shqiptare, Angela Martini, ka reaguar publikisht pas kritikave dhe aludimeve që qarkulluan në rrjetet sociale lidhur me një fragment prej vetëm 40 sekondash nga një intervistë e saj. Përmes disa postimeve në InstaStory, Martini ka vendosur të sqarojë rrugëtimin e saj shpirtëror dhe veçanërisht raportin e saj me Kabalën, duke hedhur poshtë […]

Madhësia e shkronjave

Modelja e njohur shqiptare, Angela Martini, ka reaguar publikisht pas kritikave dhe aludimeve që qarkulluan në rrjetet sociale lidhur me një fragment prej vetëm 40 sekondash nga një intervistë e saj.

Përmes disa postimeve në InstaStory, Martini ka vendosur të sqarojë rrugëtimin e saj shpirtëror dhe veçanërisht raportin e saj me Kabalën, duke hedhur poshtë pretendimet se ajo është konvertuar në një fe tjetër apo se është bërë pjesë e ndonjë sekti.

“E kuptoj që emocionet janë të forta, por nga një fragment 40-sekondësh është krijuar një histori e tërë”, shkroi ajo, duke theksuar se interesimi i saj për Kabalën nuk është diçka e re.

Sipas modeles, ajo ka nisur ta studiojë Kabalën që në vitin 2012 dhe ka vazhduar për gjashtë vjet.

“Nuk e fillova papritur në vitin 2026 për të tërhequr vëmendje. Nuk u konvertova, nuk ndryshova fenë, nuk iu bashkova ndonjë sekti dhe as ‘shita shpirtin tim’”, u shpreh Martini.

Ajo theksoi gjithashtu se nuk ka ndjekur verbërisht asnjë mësim, ndërsa sqaroi se episodi i plotë i intervistës flet për një rrugëtim shumë më të gjerë personal, i cili përfshin astrologjinë, Meditimin Transcendental, Paramahansa Yoganandën, Kabalën dhe fuqinë e mendjes.

Martini kundërshtoi edhe interpretimet se studimi i Kabalës nënkupton automatikisht konvertim në Judaizëm.

“Të studiosh Kabalën nuk do të thotë të konvertohesh në Judaizëm, ashtu si eksplorimi i një mësimi shpirtëror nuk përcakton të gjithë identitetin e një personi”, shkroi ajo.

Në reagimin e saj, modelja preku edhe debatin rreth interpretimeve politike dhe konflikteve aktuale, duke theksuar se eksplorimi i një tradite shpirtërore nuk duhet të shihet si një deklaratë politike.

“Të studiosh një traditë shpirtërore nuk është një deklaratë politike dhe nuk do të thotë të mbështesësh vuajtjen e askujt. Zemra ime është me njerëzit dhe fëmijët e pafajshëm kudo në botë”, u shpreh Martini.

Ajo u tregua veçanërisht kritike ndaj mënyrës se si, sipas saj, një fragment i shkurtër mund të krijojë perceptime të plota për një person.

“Ironia është se sa shpejt u krijua një perceptim i tërë nga vetëm 40 sekonda – krejt e kundërta e parimit të parë që kam mësuar: mos beso kurrë verbërisht gjithçka që dëgjon. Vëre në dyshim, përjetoje vetë dhe zbulo të vërtetën tënde”, shkroi ajo.

Martini pranoi se edhe pas sqarimit të saj mund të ketë njerëz që do të vazhdojnë të reagojnë me zemërim, por tha se kjo është zgjedhje e tyre.

“Zemërimi nuk është provë dhe përsëritja e një supozimi nuk do ta kthejë kurrë atë në fakt”, theksoi ajo.

Në fund, modelja e mbylli reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për kritikët: “Nëse zgjidhni të qëndroni të zemëruar, qëndroni të zemëruar. Unë zgjedh të qëndroj e informuar”.

Reagimi i Angela Martinit vjen pas diskutimeve të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e shkëputur nga intervista e saj ishte interpretuar në mënyra të ndryshme, duke nxitur aludime për besimin dhe bindjet e saj personale. /Telegrafi/