Sulmuesi i ri i Cagliarit, Yael Trepy, ka përfunduar në repartin e kujdesit intensiv pasi për pak sa nuk u mbyt në një pishinë të një vile luksoze në Sardenjë.
Futbollisti francez, vetëm 20-vjeç, u transportua me urgjencë me helikopter drejt spitalit, ndërsa te Cagliari nuk e fshehin shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së pushimit që lojtarët kishin marrë pas ndeshjes në Kupën e Italisë.

Sipas raportimeve të gazetës italiane Unione Sarda, Trepy ka humbur vetëdijen në ujë gjatë orëve të pasdites.
Mediat italiane raportojnë se futbollisti nuk di të notojë dhe, për rrethana ende të paqarta, ka përfunduar në pjesën e thellë të pishinës.
Cagliari reagoi zyrtarisht pas incidentit, duke konfirmuar se lojtari ndodhet në kujdes intensiv.
“Cagliari Calcio njofton se futbollisti Yael Trepy aktualisht është i shtruar në Spitalin Civil Santissima Annunziata në Sassari, ku ndodhet në repartin e kujdesit intensiv”, thuhet në njoftimin e klubit.
Nga Cagliari kanë bërë të ditur gjithashtu se po e monitorojnë nga afër situatën në bashkëpunim me mjekët dhe familjen e lojtarit, ndërsa kanë kërkuar respektimin e privatësisë së tij dhe familjarëve.
Trepy kishte qenë në fushë vetëm pak ditë më parë, duke luajtur 54 minuta në fitoren 1-0 të Cagliarit ndaj Arezzos.
Sulmuesi francez iu bashkua Cagliarit në vitin 2022, përmes akademisë së klubit. Sezonin e kaluar ai bëri debutimin në Serie A, duke zhvilluar tetë paraqitje dhe duke shënuar një gol. /Telegrafi/





