Policia e Kosovës të enjten ka arrestuar një person të dyshuar për spiunazh. I arrestuari është Fehim Sali, arsimtar në Dragash.
Të njëjtit Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi të premten 30 ditë paraburgim.
Në kërkesën për paraburgim të parashtruar nga Prokuroria Speciale, thuhet se i dyshuari edhe vet kishte përshkruar në detaje veprimtarinë e tij dhe bashkëpunimin me një zyrtar të BIA-s serbe.
Sali me shtetësi të Kosovës, nga komuna e Dragashit është arrestuar me dyshimet për spiunazh në favor të BIA-s Serbe.
Ai gjatë intervistimit kishte dhënë detaje konkrete për veprimtarinë e tij, ndërkaq po hetohej që nga qershori i vitit të kaluar, pasi informata për veprimtarinë e dyshimtë të tij, ishin përcjellë nga AKI-ja tek Prokuroria Speciale.
Sali dyshohet se duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, i ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, përmes fotografimit të tyre, ka ofruar informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.
Sali mes tjerash kishte shërbyer si anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë zyrës së Presidentes së Kosovës, deri në shkarkimin e tij në maj të vitit 2024, e ky funksion i tij është përmendur edhe në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Prokurori Kodraliu: I dyshuari Sali e pranoi se ishte rekrutuar nga BIA
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, të premten në një deklaratë për media tha se nga provat që kanë siguruar është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA, ndërkaq vetë i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali. Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zhelimir Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë. Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë”, tha ai.
Sipas tij, me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
“Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai.
Para të gatshme rreth 40 mijë euro e katër telefona – çka u gjet gjatë bastisjes në vendbanimin e të arrestuarit për spiunazh?
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i arrestuari sot në pikën kufitare në Merdare, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Policia njofton se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:
para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;
para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;
dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Fehim Salit, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Vendimin e ka marrë më 14 gusht gjyqtari i procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rrezik i ikjes, pasi Sali është ndaluar më 13 gusht, rreth orës 04:00, në pikën kufitare në Merdare, gjatë daljes nga Kosova. Në vlerësimin e gjykatës ka ndikuar edhe fakti se ai posedon shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë dhe ka lidhje familjare në Serbi.
Përveç rrezikut të ikjes, gjykata ka konstatuar edhe rrezik të ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rrezik të përsëritjes së veprës penale.
Mbrojtja e ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim, duke argumentuar se Sali ka vendbanim të përhershëm në Kosovë, familjen dhe punën si mësimdhënës këtu, ndërsa udhëtimet e tij në Serbi kanë qenë për arsye familjare dhe personale.
Gjykata, megjithatë, ka vlerësuar se masat më të buta, përfshirë arrestin shtëpiak, dorëzaninë apo paraqitjen në polici, nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e tij dhe për të parandaluar pengimin e hetimeve.






