Në SHBA zhvillohet një garë e pazakontë, ku pastrimi i dhomave të hotelit kthehet në një spektakël të vërtetë.
“Olimpiada e Pastrimit” mbledh profesionistë të mirëmbajtjes dhe pastrimit, të cilët konkurrojnë për të treguar se kush mund të rregullojë shtratin, të lajë dyshemenë apo të pastrojë me fshesë me korrent më shpejt dhe më saktë.

Gara zhvillohet çdo vit dhe përfshin punonjës nga hotele dhe institucione të ndryshme. Në edicionet e zhvilluara në Las Vegas, garat kanë përfshirë rregullimin e shtratit, garën me leckë, pastrimin me fshesë me korrent dhe sfida të tjera që lidhen me punën e përditshme të stafit të pastrimit.
Edhe pse në pamje të parë mund të duket si një garë argëtuese, pjesëmarrësit janë profesionistë dhe performancat e tyre vlerësohen për shpejtësi, saktësi dhe teknikë. Ngjarja synon të vërë në pah aftësitë dhe punën e stafit të hotelerisë dhe shërbimeve të pastrimit.
Në vitin 2025, “Olimpiada e Pastrimit” në Las Vegas u bë virale në rrjetet sociale, duke tërhequr miliona shikime. Organizatorët e prezantojnë garën si një mënyrë për të vlerësuar punonjësit që zakonisht punojnë në prapaskenë, por që janë thelbësorë për funksionimin e industrisë së hotelerisë.
Në garat e fundit kanë marrë pjesë ekipe nga hotele të njohura të Las Vegasit, ndërsa aktiviteti është kthyer në një nga mënyrat më të veçanta për të festuar profesionalizmin e punonjësve të pastrimit. /Telegrafi/





