Verdhëza te foshnjat, kur është normale dhe kur duhet kontroll? Ky është shpjegimi i neonatologut

shendetesi

Verdhëza te të porsalindurit është një nga shqetësimet më të shpeshta që vërejnë prindërit në ditët e para pas lindjes së foshnjës. Por kur konsiderohet normale dhe kur duhet të kërkohet kontroll mjekësor? Për këtë temë ka folur neonatologu Luan Morina në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra […]

Madhësia e shkronjave

Verdhëza te të porsalindurit është një nga shqetësimet më të shpeshta që vërejnë prindërit në ditët e para pas lindjes së foshnjës.

Por kur konsiderohet normale dhe kur duhet të kërkohet kontroll mjekësor?

Për këtë temë ka folur neonatologu Luan Morina në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.

Morina shpjegoi se verdhëza te foshnjat vlerësohet varësisht nga koha kur shfaqet.

Sipas tij, nëse paraqitet në orët e para pas lindjes, ajo nuk duhet të neglizhohet.

“Verdhëza, varësisht prej kohës kur paraqitet, e quajmë patologjike dhe fiziologjike. Patologjike është kur paraqitet orët e para”, tha ai.

Neonatologu theksoi se, në kushte normale, verdhëza nuk pritet të shfaqet para 24 orëve të para të jetës.

“Verdhëza, normalisht, në kushte normale nuk do të paraqitet para 24 orëve të para”, u shpreh Morina.

Sipas tij, nëse zverdhja shfaqet pas 24 orëve të para, ajo shpesh konsiderohet si verdhëz fiziologjike, pra një proces që ndodh te shumica e foshnjave.

“Pas 24 orësh quhet si verdhëz fiziologjike ose verdhëz normale, si proces normal që ndodh te shumica e foshnjave”, shpjegoi ai.

Megjithatë, Morina tha se kur verdhëza paraqitet para 24 orëve të para, mjekët duhet të hulumtojnë shkakun.

“Para 24 orëshit neve na bën që duhet të hulumtojmë se çfarë realisht ka ndodhur, pse është zverdhur dhe të gjejmë shkaktarin”, tha neonatologu.

Ai shpjegoi se verdhëza lidhet me bilirubinën, një substancë që lirohet gjatë shkatërrimit dhe rigjenerimit të elementeve të gjakut. Kjo substancë kalon në mëlçi dhe më pas duhet të largohet nga organizmi përmes zorrëve.

“Shkatërrimi ose rigjenerimi i elementeve të gjakut bën që të lirohet një substancë që quhet bilirubinë”, tha ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”: