Kompania “Natyra” SHPK ka njoftuar se po vazhdon pa ndërprerje procesin e pastrimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e Komunës së Podujevës, duke theksuar se ka trashëguar sasi të mëdha mbeturinash nga operatori paraprak.
Sipas njoftimit të kompanisë, me vendimin e 24 qershorit 2026, “Natyra” SHPK mori në operim 22 fshatra të Podujevës, ndërsa menjëherë nisi ofrimin e shërbimeve, lidhjen e kontratave me qytetarët dhe grumbullimin e rregullt të mbeturinave.
Kompania ka bërë të ditur se më 17 korrik ka marrë edhe vendimin e Komunës së Podujevës për zgjerimin e shërbimit në të gjitha fshatrat e komunës, ndërsa ekipet e saj kanë dalë në terren që nga 18 korriku.
Sipas “Natyra” SHPK, gjatë marrjes së shërbimit është evidentuar një gjendje e rënduar në disa zona, ku ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme mbeturinash nga operatori i mëparshëm.

“Pavarësisht kësaj gjendjeje, të gjitha ekipet tona janë të angazhuara çdo ditë, me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në largimin e mbeturinave dhe normalizimin e gjendjes në çdo fshat të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
“Natyra” SHPK ka sqaruar se, për shkak të volumit të madh të mbeturinave, nuk është e mundur që i gjithë territori të pastrohet brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, sipas saj, procesi i pastrimit dhe lidhja e kontratave me qytetarët po zhvillohen paralelisht.
Kompania ka theksuar gjithashtu se gjendja emergjente e shpallur nga Komuna e Podujevës lidhet me qytetin dhe jo me zonën ku ajo ofron shërbimet.
Sipas “Natyra” SHPK, ekipet e saj janë duke punuar çdo ditë në terren, pa kufizim orari, me qëllim largimin sa më të shpejtë të mbeturinave dhe rikthimin e një shërbimi të rregullt për qytetarët.
Ndërkohë, Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së rënduar me grumbullimin e mbeturinave, të cilën e ka lidhur me mosofrimin e rregullt të shërbimeve nga operatorët përgjegjës.
Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim të mërkurën dhe do të jetë në fuqi nga dita e shpalljes deri më 5 nëntor 2026.
Pas këtij vendimi, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka reaguar ndaj deklarimeve të Komunës së Podujevës për menaxhimin e mbeturinave, duke vlerësuar se situata aktuale është pasojë e problemeve të vazhdueshme financiare dhe jo e zhvillimeve të fundit.
Në reagimin zyrtar, kjo kompani ka deklaruar se Njësia Operative në Podujevë prej vitesh funksionon me bilanc negativ financiar, pasi tarifa për grumbullimin e mbeturinave ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2008, në vlerë prej 4.70 euro me TVSH, pavarësisht rritjes së kostove të operimit, karburantit, mirëmbajtjes, pagave dhe shpenzimeve të tjera.





