Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi kompania koncesionare nuk ka respektuar afatet e parashikuara për realizimin e projektit.
Burime të Top Channel bëjnë të ditur se shkak për këtë vendim është mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale lidhur me ecurinë e punimeve dhe tejkalimi i afateve të ndërtimit.
Sipas këtij mediumi, ky hap vjen pas paralajmërimeve të mëhershme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila, pas mosmarrëveshjeve mes kompanive të përfshira në projekt, u kishte dhënë ultimatum kontraktorëve për të përshpejtuar punimet dhe për të rikuperuar vonesat. Ministria kishte paralajmëruar se, në të kundërtën, do të procedonte me anulimin e kontratës dhe vendosjen e gjobave ndaj kompanive përgjegjëse.

Ditë më parë, biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, kompania zvicerane e të cilit, Mabco, është pjesë e konsorciumit koncesionar e kishte cilësuar situatën në Aeroportin e Vlorës si “jashtë çdo standardi të shtetit të së drejtës”, duke pretenduar se projekti po mbahet peng prej muajsh nga persona që, sipas tij, veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Në një shkrim në Facebook ai kishte thënë se pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë në favor të Mabco-s dhe dhjetëra kallëzimeve të paraqitura në institucionet kompetente, nuk është ndërmarrë asnjë veprim efektiv për rikthimin e ligjshmërisë. Sipas tij, kjo ka shkaktuar dëme financiare, teknike, ekonomike dhe reputacionale për një projekt ku janë investuar, sic ka thënë, qindra milionë euro.
Ai u ka bërë thirrje SPAK-ut, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse të zhvillojnë hetime të plota dhe të pavarura, të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masa për rikthimin e menjëhershëm të rendit ligjor.
“Aeroporti i Vlorës nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga interesa të paligjshme, ndërkohë që institucionet heshtin dhe një investim strategjik për Shqipërinë dëmtohet çdo ditë”, theksoi Pacolli.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore dhe investimet strategjike në Shqipëri. Kontrata për të u nënshkrua në prill 2021 ndërsa punimet nisën në fund të këtij viti dhe aeroporti ishte planifikuar të hynte në funksion gjatë vitit 2025, sipas një njoftimi të qeverisë shqiptare. Megjithatë, projekti është përballur me vonesa të konsiderueshme, mosmarrëveshje ndërmjet partnerëve të konsorciumit dhe konteste ligjore që kanë ndikuar në ecurinë e punimeve.
Nisja e procedurës për anulimin e kontratës shënon zhvillimin më serioz deri më tani për të ardhmen e projektit. Nëse kontrata koncesionare prishet, autoritetet shqiptare do të duhet të vendosin nëse aeroporti do të ritenderohet apo do të ndiqet një model tjetër për përfundimin e tij.





